Këshilltari Special në Departamentin e Shtetit Amerikan, Derek Chollet si dhe emisari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, kanë kërkuar sërish nga Kosova që të nisin me zbatimin e Asociacionit, si një nga zotimet e rëndësishme të bëra në dialogun e Brukselit.
Në një shkrim autorial ata tregojnë edhe një “skicë” se si do të dukej Asociacioni
Ata thonë se Komunat me interesa, gjuhë dhe kulturë të përbashkët do të punon në formë më efikase për të adresuar sfidat e përbashkëta në ofrimin e shërbimeve publike.
Si shembull, ata përmendin faktin se komunat do të mund të hartonin një kurrikulë në gjuhën serbe për shkollat lokale.
“Komunat me interesa, gjuhë dhe kulturë të përbashkët do të mund të punonin në mënyrë më efikase së bashku për të adresuar sfidat e përbashkëta në ofrimin e shërbimeve publike, nëpërmjet ekonomive të shkallës dhe shkëmbimit të praktikave më të mira. Për shembull, komunat do të mund të hartojnë kurrikulë në gjuhën serbe për shkollat lokale në disa komuna e të mos veprojnë në vakum dhe duke bërë punë të dyfishtë. Bashkëpunimi i tillë është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 për zotimin për Asociacion dhe parimet e qeverisjes së mirë të ushtruara nëpër vendet tjera në Evropë”, thonë ata.
Sipas tyre, Asociacioni nuk do t’ia shtonte qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.
“Ky parim i rëndësishëm daton që nga propozimi i Ahtisaarit. Komunat bashkëpunojnë në bashkë-menaxhimin e juridiksioneve brenda institucioneve dhe strukturave legjitime kosovare. Duke lejuar komunat e caktuara që në mënyrë më efikase të ushtrojnë kompetencat që tashmë i kanë, kjo do të mënjanonte nevojën që qytetarët kosovarë të kërkojnë shërbime nga strukturat paralele ilegale – siç bëjnë shumë veta tani – dhe do të ruante transparencën dhe ligjshmërinë e strukturës së re sipas dhe brenda ligjit kosovar”.
Ata kanë deklaruar se “është me rëndësi të vihet në pah se një Asociacion i komunave me shumicë serbe nuk do të ishte një-etnik”.
“Këto do të ishin komuna me shumicë serbe ku jetojnë jo vetëm serbët etnikë, por edhe grupet tjera – shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë –të drejtat e të cilëve gjithashtu duhet të sigurohen dhe mbrohen”, thonë ata.
“Si mikja dhe aleatja më e afërt e Kosovës, ne besojmë se duke punuar për themelimin e Asociacionit, Kosova do të përmbushë një element kritik të nevojshëm për ndërtimin e të ardhmes së saj të drejtë si shtet sovran, shumetnik dhe i pavarur, i integruar në strukturat euroatlantik”, përfundojnë Chollet dhe Escobar.