Kremlini kritikoi ashpër veprimin e gazetares ruse, e cila protestoi “live” kundër luftës së Putin gjatë edicionit të lajmeve në Rusi. Autoritetet ruse e cilësuan veprimin e gazetares huliganizëm.
“Për sa i përket veprimit të asaj gruaje, ishte huliganizëm,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, duke i dhënë lëvdata televizionit “Channel One” i cili e ndërpreu menjëherë transmetimin pas daljes së gazetares protestuese me pankartë në duar, ku shkruhej “Jo Luftë”.
Marina Ovsyannikova është gazetarja që u shfaq dje gjatë edicionit të lajmeve në televizionin shtetëror rus “Channel One”, me një pankartë ku shkruhej “Ndaloni luftën. Mos i besoni propagandës”.
Ajo u shoqërua në një stacion policor në Moskë menjëherë pas ngjarjes, ndërsa tani nuk dihet se ku ndodhet. Përpara se të protestonte në televizion, ajo regjistroi një video ku thoshte se lufta në Ukrainë është krim, dhe se Rusia është agresori.