Më 5 maj, është lajmëruar të mbahet koncert manifestues në Dragash, për Ditën e Goranëve.
Komuniteti goran në këtë komunë pritet të argëtohet me valle dhe këngë, të cilat do të performohen nga shumë artistë, përfshirë dhe të tillë nga Serbia.
Lidhur me këtë çështje, kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini, ka deklaruar për IndeksOnline se sot është mbledhur Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, ku u diskutua pikërisht kjo çështje.
“Ne sot kemi mbajtur takim në KKSB ku është diskutu kjo dhe kemi marrë një qëndrim që, nëse mbahet ky manifestim kulturor ku parashihet të vijnë këngëtarë nga Serbia, mos të ketë lejen e Komunës.
Nuk jemi kundër manifestimeve kulturore që mbahen në Dragash, në kuadër të festimit të Shën Gjergjit, janë festime tradicionale që janë mbajtur çdo vit, nga data 6 deri në datën 10. Janë manifestime që mbahen në natyrë, në 4-5 vende në regjionin e gorës, por kësaj radhe, një OJQ po don me e organizu një manifestim të tillë, e për neve është një manifestim jo i pranueshëm”, tha Xheladini.
Ai tha se nuk mendon që do të mbahet kjo ngjarje, duke shtuar që do të ndërmarrin çdo lloj mase të nevojshme.
“Ne kemi qëllim që popullata e gorës mos të mendojë që ne jemi kundër manifestimeve kulturore. Por jo me këngëtarë serbë, e që imitojnë manifestime që janë mbajtur para luftës. Ne nuk jemi as kundër muzikës serbe, por supozohet të jenë manifestime kulturore tradicionale gorane, e jo serbe”, deklaroi kryetari Xheladini, për IndeksOnline.
I pyetur se ku do të mbahet koncerti, Xheladini tha se nuk e din sigurt lokacionin, por që nuk jep leje për organizime të tilla, me performues serb, të mbahen në ditën e dëshmorëve.
Ashpër ndaj këtij organizimi ka reaguar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës, Shoqata e Invalidëve dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve.
Në një komunikatë të përbashkët, është shprehur shqetësimi dhe indinjata e thellë për këtë organizim, që është në të njëjtën datë me Ditën e Dëshmorëve të kombit.
“Në këtë ditë, ne nderojmë me krenari dhe përulësi sakrificën sublime të bijve dhe bijave më të mirë të kombit, të cilët ranë për lirinë që ne e gëzojmë sot.
Për këtë arsye, ne e konsiderojmë organizimin e këtij koncerti me pjesëmarrje të artistëve serbë si një provokim të qëllimshëm, të papranueshëm dhe thellësisht fyes për familjet e dëshmorëve, për invalidët, për veteranët dhe për gjithë ata që kanë sakrifikuar për çlirimin e vendit. Çdo përpjekje për të relativizuar dhimbjen dhe sakrificën tonë në ditë të tilla përbën cenim të rëndë të ndërgjegjes kombëtare. Kjo nismë është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj vlerave tona kombëtare dhe historisë sonë të lavdishme të rezistencës”, thuhet në komunikatën e OVL-UÇK-së.
Nga kjo organizatë është bërë thirrje të ndalohet organizimi, përndryshe, organizatat e dalura nga lufta do të dalin në rrugë dhe të ndalojnë vet këtë manifestim.
Kompania që po udhëheq marketingun e “Arog Fest” deklaroi për IndeksOnline se caktimi i datës së koncertit në Ditën e Dëshmorëve, ka qenë i paqëllimshëm.
“E respektojmë çdo sakrificë për lirinë, Kushtetutën dhe çdo gjë. Por, puna është kështu: ne, komuniteti goran, e festojmë Ditën e Goranëve, që fillon prej 4 maj e deri më 13-14 maj. Aksidentalisht ka ndodhur caktimi i datës në Ditën e Dëshmorëve. Organizatorët sot do të kenë një takim dhe të shqyrtojnë ndërrimin e datës së koncertit. Të gjithëve iu kërkojmë falje për mosmarrëveshje”, thonë ata për IndeksOnline.
Ata deklarojnë se me komunën janë koordinuar kur kanë kërkuar pëlqimin e tyre për stadiumet. Nga komuna iu është thënë se duhet shqyrtuar të tjera lokacione për eventin, gjë të cilën e kanë të dokumentuar dhe të protokuluar.
Nga kjo kompani deklarojnë se respektojnë shtetin e Kosovës dhe nuk janë pro veprimeve që shkaktojnë konflikte.
Nga kompania deklarojnë se në agjendë do të ketë edhe këngëtarë goranë, boshnjakë e kosovarë, që do të performojnë në gjuhën shqipe teksa festivali do të nisë me intonimin e himnit të Kosovës.
“A ta anulojmë krejt? Unë e konfirmoj se do të ketë mbledhje mes organizatorëve, për të organizuar festivalin në tjetër datë. Ne iu kërkojmë falje që ka rastisur në të njëjtën datë dhe do mundohemi ta ndërrojmë datën. Këngëtarët janë këngëtarë! Kemi nga Serbia, kemi boshnjakë, kemi goranë, kemi kosovarë”, deklaruan ata./IndeksOnline/