Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se brenda dy-tri ditësh do të sqarohet situata sa i takon zgjedhje në veri të Kosovës.
E para e shtetit të Kosovës, theksoi se për situatën e krijuar në veri të vendit është duke pritur një raport, dhe në kuadër të kësaj edhe sot do të zhvillojë një takim me institucionet e sigurisë.
Kam kërkuar raport në fakt në baza ditore, sot kam takime me disa institucione të sigurisë të cilat përafërsisht çdo orë më njoftojnë rreth zhvillimeve në vëri tani janë duke më pritur në zyrë dhe është një ndër takimet e shumta që do ta kem lidhur me situatën. Këto janë vlerësime që bëhet nga institucionet e sigurisë në baza ditore megjithatë tani na duhen edhe më shpesh për shkak të zhvillimeve. Në momentin që do ta marr raportin e plotë do të kemi një pasqyre m të qartë sa i përket çështjes së zgjedhjeve”, tha ajo.
E para e shtetit ka njoftuar rreth procedurave të shtyrjes së zgjedhjeve, ku tha se krahas raportit të institucioneve të sigurisë nevojitet konsensus i partive politike.
Ekzistojnë kritere të caktuara të cilat janë caktuar nga Komisioni i Venecias për çështje të shtyrjes së zgjedhjeve, në rastet kur ligji shprehimisht nuk e parasheh të drejtën e shtyrjes së zgjedhjeve siç është rasti i Kosovës, atëherë e para duhet të bëhet vlerësimi nga institucionet e sigurisë. Ky vlerësim duhet të trajtohet në KQZ dhe në KQZ duhet të ketë një pajtim për të propozuar një gjë të tillë nëse ata e vlerësojnë si të nevojshme. Pastaj, ai propozim vjen në presidencë….Nëse një kërkesë e tillë vjen pasi të dorëzohet vlerësimi i institucioneve të sigurisë KQZ-së si presidente do ta bëjë vlerësimin tim dhe atë do ta ndaj me partitë politike, por patjetër duhet të ketë konsensus, jo unanimitet të plotë, ajo nuk kërkohet, por kërkohet patjetër konsensus. Nëse ka konsensus nga një shumicë dërrmuese që marrin pjesë në konsultime politike, atëherë ky do të jetë vendim i përbashkët dhe besoj që në dy-tri ditët në vijim gjithçka do të qartësohet”, tha ajo.
E pyetur se a do të ftohet edhe Lista Serbe në këto konsultime, presidentja Osmani tha se do të ftohet edhe ai subjekt politik, pasi është parti e përfaqësuar në Kuvend.
“Ata ftohen për shkak se janë parti e përfaqësuar në parlamenti, si rregull unë i ftoj të gjitha partitë e përfaqësuara në parlament edhe nëse e kanë vetëm një deputet dhe për veç kësaj ftohen edhe ato parti që janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje, pra do të ftohen, se a do të marrin pjesë është çështje e tyre”, tha ajo.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani teksa ka komentuar edhe sot situatën e krijuar në veri ditëve të fundit, ku kanë ndodhur edhe shpërthime, u shpreh se sa herë që arrihet te marrëveshja finale, Serbia tenton të krijojë kriza në veri.
Sipas saj, Serbia po e bënë këtë tani me qëllim që ta parandalojë diskutimin në Bruksel të planit franko-gjerman.
“Kjo është një shtytje e Vuçiqit i cili vazhdon t’i financoj dhe t’i mbështes strukturat ilegale në banda kriminale që po terrorizojnë qytetarët që jetojnë në veri dhe në të njëjtën kohë po tentojnë t’i sfidojnë institucionet e sigurisë. Çka duhet institucionet e Kosovës të bëjnë është që rrisin kapacitet e veta, përpjekjet, organizimin dhe bashkrëndimin në mënyrë që ta mbrojmë secilin qytetarë që jeton në veri të vendit pavarësisht etnisë….Në këtë mënyrë Serbia natyrisht edhe tenton që të krijoj kriza të reja të cilat pastaj do ta parandalonin diskutimin në Bruksel të propozimit franko-gjerman të përkrahur nga SHBA, është një prej strategjike të tyre të vjetra, sa herë i afrohemi një marrëveshje finale ata tentojnë të krijojnë kriza në veri”, u shpreh presidentja Osmani.
E zgjedhjet për kryetarë të komunave veriore janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor, ndërsa ato për kuvende komunale më 25 dhjetor.
Para disa ditëve derisa zyrtarët zgjedhor bashkë me zyrtarë policorë kanë tentuar të hyjnë në ambientet e KKZ-ve në komunat veriore, janë penguar. Madje gjatë këtyre ditëve ka pasur hedhje të shok-bombave e të shtëna, e një shpërthim është dëgjuar edhe mbrëmë.