Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë konferencës rajonale “15 vjet të mbikëqyrjes së sektorit publik të sigurisë”, ka thënë se qëllimi i Kosovës është zgjerimi i spektrit të partneriteteve të reja dhe integrimit në struktura euroatlantike, respektivisht në BE e NATO.
Osmani tha se bashkëpunimi, përveç në nivele bilaterale, shpejt do të kurorëzohet edhe me anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut dhe në Partneritetin për Paqe, si parakusht për anëtarësim në NATO.
“Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës, me statusin e vendit pritës në mesin e 25 vendeve në stërvitjen e përbashkët shumëkombëshe të drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA-ve, “DEFENDER’23”, në muajin e ardhshëm do të rikonfirmoj gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë e rreth 1400 trupave të FSK-së përkrah 7800 trupave ushtarake amerikane dhe 14,000 trupave shumëkombëshe të vendeve aleate dhe partnere nga SHBA-të dhe shtete tjera anëtare të NATO-s”, tha Osmani.
Tutje, ajo tha se ky sukses historik konfirmon besimin që ka arritur partneriteti i ShBA-së me Kosovën dhe ushtrinë.
“Përgjatë këtyre viteve, FSK-në e kemi ndërtuar dhe zhvilluar me mbështetjen e partnerëve tanë, me aftësi dhe kapacitete operacionale profesionale, sipas standardeve të NATO-s, si forcë e ndërveprueshme për realizimin efektiv edhe të operacioneve shumëkombëshe të përbashkëta ushtarake, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal e atij global”, tha Osmani.