Presidentja Vjosa Osmani ka pritur gjatë kësaj jave në takime të ndara të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Pattipati, Ambasadorin gjerman, Jorn Rohde dhe atë të Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves.
Në njoftimin e lëshuar nga Presidenca thuhet se Osmani ka diskutuar me ta për ecurinë e procesit zgjedhor dhe konstituimin e institucioneve pas certifikimit të rezultateve nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Gjatë këtyre takimeve, u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë çështjet e sigurisë, fuqizimin e bashkëpunimit bilateral me shtetet respektive, ecurinë e procesit zgjedhor si dhe konstituimin e institucioneve pas certifikimit përfundimtar të rezultateve nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit”, thuhet në njoftim.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka publikuar të dhënat e rezultateve nga numërimi i votave për partitë politike, ndërkohë që në qendrat komunale po numërohen votat e kandidatëve për deputetë.
Në ëeb-faqen e KQZ-së në 09:46 u përditësuan rezultatet nga procesimi i të gjitha vendvotimeve.
Sipas këtyre rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 342,281 vota apo 40.80%., Partia Demokratike e Kosovës ka 184,811 vota apo 22.03%, Lidhja Demokratike e Kosovës 147,888 vota apo 17.63 përqind dhe koalicioni AAK, Nisma dhe të tjerët ka marrë 62,588 vota apo 7.46%.
Pasi të përfundoj procesi i numërimit të votave për kandidatë pason votimi i votave me kusht, personave me nevoja të veçanta dhe atyre të mërgatës.