Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se çështja e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për të është e mbyllur, duke shtuar se se avokon që malazezët të njihen si pakicë në Kushtetutën e Kosovës, por kjo varet nga procedurat e ndërlikuara kushtetuese.
Në një intervistë për televizionin “Vijesti”, Osmani ka thënë po ashtu se plani franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e sheh si platformë e mirë për vazhdimin e negociatave dhe se tani mbetet të shihet nëse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do ta pranojë.
Konkretisht, sa i përket kufijve, për mua ajo çështje ka përfunduar në parlament para disa vitesh, kur ajo marrëveshje është ratifikuar mes Malit të Zi dhe Kosovës. Pastaj është një marrëveshje dypalëshe mes presidentëve të atëhershëm të Kosovës dhe Malit të Zi, një lloj deklarate në të cilën theksohen hapat e ardhshëm”.
“Deklarata e nënshkruar mes dy presidentëve parashikon ndër të tjera se do të formohet një komision i ri teknik me ekspertë nga të dyja palët për t’u ulur dhe për të trajtuar çdo çështje të hapur. Pra, unë personalisht nuk jam kundër që një komision teknik të ulet dhe ta shikojë këtë nga pikëpamja e ekspertëve, por jo nga pikëpamja politike. Si përfundim, unë nuk shoh se ka ndonjë çështje të hapur politike ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe nuk e shoh këtë si një çështje të hapur që do të dëmtonte disi marrëdhëniet tona”.