Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në Antali të Turqisë, ku po merr pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik, që këtë vit po mbahet nën temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”.
Në këtë ngjarje me peshë ndërkombëtare, Osmani ka theksuar se aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqinë ka qenë jetike për shtetndërtimin e Kosovës.
Në fjalimin e saj, ajo foli për rrugëtimin e vendit nga lufta e deri tek pavarësia, si dhe për sfidat aktuale politike.
“Ne jemi një shembull që është rritur nga hiri. Kemi kaluar nëpër diktaturë e gjenocid, por komuniteti ndërkombëtar nuk i mbylli sytë – Kosova u ngrit falë ndihmës së aleatëve tanë”, tha Osmani.
Ajo u ndal edhe te dialogu me Serbinë, duke thënë se për Kosovën, bisedimet janë për njohje të ndërsjellë, ndërsa Serbia po tenton ta sabotojë procesin.
“Dialogu është për njohje. Deri tani kemi folur për lirinë e lëvizjes, për të zhdukurit – shumica fëmijë – për të cilët Serbia duhet të hapë arkivat. Por, Serbia nuk është për dialog. Vetëm ne jemi”, theksoi presidentja.
Osmani kërkoi përfshirje më të fuqishme të SHBA-së në këtë proces, duke e konsideruar thelbësore për arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve.
“Gjithmonë kam kërkuar përfshirje nga SHBA-të sepse kjo tregon që në këto vite pune dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka vazhduar dhe sa më i fuqishëm që është roli i SHBA-së, marrëveshjet do të jenë më të realizueshme dhe nëse nuk është e përfshirë SHBA-ja, procesi do të jetë më i dobët”, shtoi ajo.
Në Antali, Osmani u takua edhe me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për të cilin u shpreh se është një mik i dëshmuar i Kosovës, që i ka qëndruar pranë çdoherë, transmeton Gazeta Papirus.
“Ai është një zë i fuqishëm për të drejtën tonë dhe një shtyllë e fortë mbështetjeje në çdo etapë të shtetndërtimit tonë”, u shpreh Osmani.