Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se procesi i dialogut me Serbinë, nuk duhet të përdoret “për ta normalizuar” presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic.
“Le të jemi të sinqertë. Po flasim për një autokrat. Po përballemi me një shtet që nuk ka kërkuar kurrë falje për gjenocidin e kryer ndaj njerëzve të mi, por Kosova, në të njëjtën kohë, e ka zgjatur dorën e bashkëpunimit, për të qenë konstruktive dhe e angazhuar. Janë nënshkruar mbi 40 marrëveshje në Bruksel, dhe lista e shkeljeve nga ana e Serbisë është shumë-shumë e gjatë”, ka thënë Osmani, në një bisedë me Këshillin Atlantik në Washington.
Këshilli Atlantik është institut amerikan që merret me çështje ndërkombëtare.
E pyetur për rëndësinë e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidentja Osmani ka thënë se duhet pasur shumë kujdes për rrugën që mund të marrë dialogu.
“Teksa ka tentime për ta bërë atë temë më të rëndësishme sesa të tjerat, unë mendoj që kjo është një rrugë shumë e rrezikshme për të ardhmen e dialogut. Ne nuk duhet të biem në kurthin e Vuçiqit, që nënkupton vetëm vonesa dhe zvarritje të procesit. Serbisë nuk i intereson minoriteti serb, por i intereson vetëm që ta ketë një instrument, përmes të cilit do të mund ta sfidojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”.