Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Turqi në kuadër të Forumit Diplomatik, ka deklaruar se procesi i njohjeve ndërkombëtare të Kosovës është zhbllokuar pas një periudhe pesëvjeçare, duke shtuar se në më pak se një muaj vendi ka marrë dy njohje të reja – nga Kenia dhe, së fundmi, nga Sudani.
Osmani theksoi se këto zhvillime janë një momentum i rëndësishëm për diplomacinë kosovare, pasi vijnë nga dy shtete me ndikim të madh në kontinentin afrikan dhe më gjerë.
“Është një rienergjizim i rëndësishëm i këtij procesi, por përveç këtyre dy njohjeve të fundit, ka edhe suksese të tjera. Kemi arritur të thellojmë marrëdhëniet me shumë shtete për të cilat Serbia pretendonte se kanë tërhequr njohjen. Këto shtete tashmë i kanë rikonfirmuar raportet dypalëshe me Kosovën”, tha ajo.
Presidentja tha se njohjet ndërkombëtare kërkojnë kohë dhe angazhim afatgjatë.
“Ka shtete me të cilat kemi punuar më shumë se një dekadë për të arritur njohjen, e kjo e bën çdo sukses edhe më domethënës”, tha ajo në një intervistë për RTK-në, transmeton Gazeta Papirus.
Lidhur me diskutimet në vend për meritat e këtyre njohjeve, Osmani tha se asnjë person serioz nuk duhet të personalizojë këtë proces.
“Këto janë merita të popullit të Kosovës, të sakrificës sonë dhe të punës së shumë institucioneve në bashkëpunim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë”, deklaroi ajo.
Në fund, e pyetur për të ardhmen e saj politike, Osmani u përgjigj:
“Nuk ka rëndësi e ardhmja e individëve, por e ardhmja e Kosovës. Unë do të vazhdoj të kontribuoj për vendin tim për një kohë të gjatë”, deklaroi mes tjerash Presidentja.