Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një paraqitje direkte nga Brukseli tek selia e NATO-s, theksoi se sot ka pasur një ditë shumë intensive dhe me përplot takime. Sipas saj, diskutimet ishin shumë përmbajtësore dhe sërish vendi ka marrë përgjigje pozitive nga aleatët që të vazhdojnë punën me Kosovën.
Nga atje, presidentja e vendit përmendi edhe veriun e Kosovës dhe çështjen e sigurisë për shkak të grupeve kriminale, por u shpreh se do të punohet me aleatët që të zgjidhet kjo çështje.
“Diskutimet ishin shumë përmbajtjesore, jam e lumtur që sërish morëm përkushtimin e plotë të aleatëve tanë që të vazhdojnë të punojnë me Kosovën, që të vazhdojnë me prezencën e tyre në Kosovë. Në kuadër të punës sonë të përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri në gjithë rajonin tonë. Kosova siç e dini është shteti më pro NATO, jo vetëm në rajon por në gjithë botën sepse vizioni i qartë i qytetarëve të Republikës të Kosovës dhe institucioneve të republikës është që të anëtarësohemi në këtë aleancë e cila në vitin 1999 shpëtoi jetën tonë dhe sot e kësaj dite vazhdon me kontributin që të gjithë qytetaret të jetojnë në paqe.
Natyrisht, shumë nga sfidat me të cilat ballafaqohemi në veçanti ato në veri të vendit për shkak të grupeve të organizuara serbe që i diskutuam sot, duhet të punojmë bashkë me partnerët tanë në mënyrë që t’i zgjidhim të gjitha këto sfida të sigurisë sepse çështja e sigurisë nuk është asnjëherë individuale, është gjithnjë kolektive”, tha Osmani.
“Në këto 25 vjet, Kosova e ka dëshmuar që është partner i NATO-s, do të vazhdojmë ta dëshmojmë këtë dhe tash e tutje. Prapa meje janë flamujt e shteteve anëtare të NATO-s, do të punojmë të gjithë së bashku që shumë shpejt edhe flamuri i Kosovës të valojë së bashku me flakurat e aleatëve”, tha Osmani nga selia e NATO-s.