Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media nga selia e NATO’s, ka folur edhe për takimin e 14 shtatorit që do të ndodh në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vucic.
Presidentja Osmani ka thënë se ka një listë të gjatë të marrëveshjeve që Serbia s’i ka implementuar.
Ajo tutje ka thënë se shpresat e Kosovës janë që tani të ketë një qasje të barabartë nga Bashkimi Evropian, meqë një qasje e tillë është parakusht për suksesin e dialogut.
Presidentja e Kosovës ka thënë se ka pasur momente kur nuk ka pasur qasje të barabartë dhe ka thënë se iu bën thirrje aleatëve që të sigurojnë balancë në proces në mënyrë që të ketë rezultate të qëdndrueshme që kontribuojnë në stabilitetin e rajonit.
“Takimi i radhës do të ndodh më 14 shtator. Fatkeqësisht lista e marrëveshjeve të paimplementuara nga Serbia është shumë e gjatë. Shpresat tona janë tani që do të ketë një qasje të barabartë. Një qasje e barabartë nga BE është parakusht për suksesin e procesit. Ka pasur kohë që s’e kemi parë këtë balancë, prandaj iu bëj thirrje aletëve që të sigurojnë këtë balanc, nëse duam të shohim rezultate të qëndrueshme që kontribuojnë në stabilitetin e regjionit”, ka thënë presidentja Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova dhe rajoni i Ballkanit po rrezikojnë të bëhen pika të trazirave për shkak të ndikimit malinj dhe agjendave destabilizuese.
“Kosova po përjeton ndërhyrje të vazhdueshme prej jashtë dhe pengesë konstante të autoritetit të saj legjitim dhe sovranitetit në pjesën veriore të vendit tonë. Kjo në shumë raste ka përbërë agresion, siç përcaktohet në ligjin dhe praktikat ndërkombëtare. Më lejoni të jem e qartë: pjesa veriore ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pjesë integrale e Republikës së Kosovës”.
Edhe Osmani e ka dënuar dhunën ndaj zyrtarëve të KFOR-it në veri, duke thënë se nëse përgjegjësit e këtyre ngjarjeve nuk do të ndëshkohen, “ka rrezik që keqbërësit ta shohin këtë si dobësinë tonë të përbashkët”, duke shtuar se ata mund t’i përsërisin aktet e dhunës.