Në Ditën e Evropës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kërkuar heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, si dhe trajtimin me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë
Osmani ka theksuar rëndësinë e vlerave që ndan Kosova dhe BE-ja, duke shtuar se mbeten udhërrëfyes në rrugëtimin drejt integrimit, si dhe në forcimin e shtetit.
“Për popullin e Kosovës, kjo ditë përfaqëson një dëshmi të përkushtimit tonë të palëkundur, sepse ne besojmë në Evropë, pavarësisht sfidave dhe padrejtësive me të cilat përballemi gjatë këtij rrugëtimi.
Në këtë ditë të shënuar, është me rëndësi që, me një zë, të kërkojmë heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, si dhe trajtimin me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë—të cilat u bënë edhe më të dukshme edhe kur Vuçiq zgjodhi ta shënojë Ditën e Evropës në Moskë, pikërisht te Putini, ai që sot po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë.” – ka shkruar Osmani.