Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar heroin Sali Çekaj, në 24 vjetorin e rënies së tij.
Si komandant i Brigadës 134, Osmani ka thënë se la gjurmë të pashlyera në organizimin e UÇK-së dhe të betejave të saj për liri.
Në një njoftim të zyrës së presidentes thuhet se Komandant Çekaj ishte njëri ndër strategët më të shquar të luftës, veprimtar i paepur në përpjekjet e popullit të Kosovës për liri.
“24 vjet më parë ra heroikisht njëri ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroi i kombit, Sali Çekaj. Ai ra në fushëbetejën e Koshares, njërën ndër betejat vendimtare jo vetëm për ta thyer kufirin e egër që i ndante shqiptarët, por edhe mitin e rremë për pathyeshmërinë e forcave serbe”, ka thënë Osmani.
Sipas njoftimit thuhet se veprimtarinë atdhetare e nisi herët, për të mos iu ndarë deri në rënien e tij heroike, më 19 prill 1999.
Njëherë në Kosovë e më pas në mërgim, ai dëshmoi se si punohet e vdiset për atdhe. Së bashku me Agim Ramadanin e bashkëluftëtarë të tjerë, Saliu iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u shqua si strateg ushtarak”.