Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani edhe një herë ka folur rreth gatishmërisë së Kosovë për mbajen e zgjedhjeve në katër komunat veriore, për të cilat tha se problemi rreth mbajtjes së këtyre zgjedhjeve qëndron tek serbët që jetojnë atje.
Sipas Osmanit, ky problem i serbëve në veri vjen si pasojë e frikës nga njerëzit që paguhen e nxiten nga vetë Aleksandar Vuçiq, ku teksa këto deklarata ajo i bëri në një intervistë për “Politico”, shtoi se serbëve lokalë atje po u bëhet presion që të mos marrin pjesë në këto zgjedhje, dhe se nuk po shohin ndonjë lëvizje ku Vuçiq do të ndalojë të ndërhyjë në zgjedhjet e një shteti tjetër.
“Jemi të gatshëm të mbajmë këto zgjedhje, problemi është se komuniteti serb që jeton në veri të Kosovës, që është vetëm një e treta e të gjithë serbëve që jetojnë në Kosovë, po frikësohet nga njerëzit që paguhen, përkrahen dhe nxiten nga vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe nga Serbia. Atyre u bëhet presion të mos marrin pjesë në zgjedhje. Ne ende nuk po shohim lëvizje ku Vuçiqi do të ndalojë së ndërhyri në zgjedhjet e një shteti tjetër”, tha Osmani.
Ajo shpreson që komuniteti ndërkombëtarë të mos lejojë sërish Vuçiqin të bëjë presion, ndërsa shtoi se serbët lokalë nuk i bojkotuan zgjedhjet në mënyrë vullnetare.
Neve na duhet garancë për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Adresa për presion është Beogradi, jo Kosova”, shtoi ajo.
Osmani gjithashtu ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në BE, e sipas saj kjo e fundit duhet t’i përshpejtojë punët.
“Mbi 93 për qind të popullatës sonë janë pro rrugës së integrimit në BE. Por, nuk është vetëm kjo, ne besojmë se është rruga e vetme që sjellë prosperitet, zhvillim ekonomik, dhe paqe të qëndrueshme e stabilitet. Dhe për një rajon që ka kaluar aq shumë në të kaluarën, sigurimi i paqes, që më pas hap rrugët e prosperitetit, është esencial”, tha presidentja e vendit, Vjosa Osmani.