Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se kidnapimi i tre policëve brenda Kosovës është agresion nga ana e Serbisë.
Omsnai ka thënë se ky akt dëshmon se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon.
“Kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës është agresion nga ana e Serbisë. Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit.” – ka thënë ajo.
Osmani tutje ka deklaruar se ky akt i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës.
“Akti i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima.” – ka thënë ajo.
Ajo tutje ka thënë se Policia e Kosovës ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin dhe ka kërkuar reagim të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit.
“Policia e Kosovës ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin për të gjithë qytetarët pa dallim, ndaj një akt i tillë kërkon një reagim të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit. Zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht! Institucionet e Kosovës nuk do të heqin dorë nga angazhimi për sundimin e ligjit, sikurse edhe nga përkushtimi për paqe e stabilitet afatgjatë!” – ka përfunduar Osmani.