Ish-kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka thënë se presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nuk është duke ekzistuar në skenën politike në të gjithë, siç e quajti ai, kaosin në veri.
Hoti tha se Osmani bashkë me kryeministrin e vendit, Albin Kuritn, pas çdo vendimi që kanë marrë, veç janë futur më thellë në batakun që ka rënë, e sipas tij, nga kjo dilet me guxim.
“Duhet gjetur zgjidhje për ata katër kryetarë që janë zgjedhur me 2-3% atje. Presidentja nuk ekziston fare në gjithë këtë kaos që po ndodh në veri të vendit e në të gjithë kaos të marrëdhënieve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Është përgjegjësi e saj që të sigurojë se Kosova e mban politikën e vet të jashtme stabile me partnerët ndërkombëtarë”, tha Hoti në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se Osmani mund të takohet me liderë “gjithë ditën, por s’ka veprime konkrete prej saj”, teksa zgjedhjen e kryetarëve të rinj në veri e quajti “çmenduri” si shkak i pjesëmarrjes së ulët në zgjedhje.
“Unë mendoj që është çmenduri që të zgjidhesh me 2-3%, të pretendosh ta mbash pushtetin atje. Prandaj, këtu hyn presidentja. T’i ulë ata katër persona, ku njëri ka mbetur brenda në komunë, e kjo është çmenduria. Ai ka urdhër nga ky që është në qeveri”, tha Hoti.