Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka folur për raportet e saj me kryeministin Kurti.
Osmani tha se ka sektorë në të cilët nuk pajtohen fare, duke përmendur këtu se ka pasur mospajtime të mëdha rreth Ligjit për Paga.
Presidentja tha se ka sektorë që me Ligjin e ri për Paga duhet të trajtohen më dinjiteshëm, teksa u shpreh se shpreson që këto vërejtje të merren parasysh.
Por, Osmani shtoi se nuk ka “garë institucionale” mes institucionit që ajo përfaqëson dhe Qeverisë, por se qëllimi i përbashkët është të punohet në të mirë të qytetarëve.
“Ka sektorë në të cilët bashkëpunojmë më shumë, e sektorë më pak. Ka sektorë ku pajtohemi çdo ditë, e sektorë ku nuk pajtohemi fare. Çka bëjmë është kjo: mospajtimet tona i diskutojmë duke e kuptu që të dyja palët e kemi qëllimin e mirë që është jeta më e mirë e qytetarëve dhe gjejmë zgjidhje përpara. Nuk mendoj që këto garat institucionale, armiqësia mes institucioneve e ndihmon Kosovën. Përkundrazi, krijon një imazh të keq dhe pastaj çdo ditë në vend se të dëgjohet se si po kryhet një punë dëgjohet kjo tha ashtu, kjo ashtu. Natyrisht se ka tema ku nuk pajtohemi, por i zgjidhim të gjitha sepse ka qëllim reciprok. Kjo nuk do të thotë që nuk kritikohemi shpesh mes vete. Ta zëmë në Ligjin për Paga kam pasur mospajtime të mëdha të cilat janë shpreh dhe shpresoj që kanë me u marrë parasysh këto vërejte sepse ka sektorë që duhet të trajtohen më dinjitetshëm, sektorë që e mbajnë gjallë shtetin tonë që e mbrojnë atë”, tha Osmani në “Radar”.