Presidentja Vjosa Osmani të premten sapo përfundoi takimin me Zëvendëssekretarin e Shtetit për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, menjëherë njoftoi se SHBA dhe Kosova do të finalizojnë dialogun strategjik, të cilën ajo tha se e ka kërkuar nga viti 2021. Kurti, po ashtu, ishte nikoqir i zyrtarit amerikan, i cili solli lajmin e rëndësishëm në fund të mandatit të Administratës Biden. Por, në njoftimin për media nga ZKM nuk pati ndonjë entuziazëm për “arritjen e Osmanit”. Zyra për media e kreut të Qeverisë bëri një njoftim “kalimthi” duke thënë se u diskutua edhe “për përfitimet nga Dialogu Strategjik”.
Zëvendëssekretari i Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, në vizitën e tij në Kosovë me vete solli lajmi se një marrëveshje mes Kosovës dhe SHBA-së për dialog strategjik do të finalizohet së shpejti. Këtë ai ia kumtoi presidenten Vjosa Osmani në takimin e përbashkët që zhvilluan sot në Prishtinë, e cila më pas e ndau me publikun. Në njoftim, Osmani tha se ky rezultat është arritje e saj meqë propozimin ia kishte bërë SHBA-së që nga viti 2021.
Presidentja Osmani pas takimit që pati me zyrtarin e lartë amerikan dha lajmin për “një të arritur të jashtëzakonshme” se i është konfirmuar nga ai se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik.
Duke njoftuar se ekipet e të dyjave vende do të takohen së shpejti për ta finalizuar këtë marrëveshje, Osmani ky dialog do të jetë një platformë që do të shërbejë për forcimin e bashkëpunimit në fusha të interesit strategjik e të dyanshëm.
Në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës nuk u pa entuziazmi që u shfaq nga Presidentja Osmani.
Prioritet aty iu dha marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit.
“Ky takim që u zhvillua në kryeministri, u mbajt pas ngjarjes e lansimit të fazës së parë të parakualifikimit për dizajnimin dhe ndërtimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë përmes baterive (BESS) në kuadër të marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit me vlerë prej 236.7 milionë dollarë. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti i falënderoi ShBA-të për mbështetjen e tyre dhe përkrahjen në kuadër të projekteve të energjisë”, u tha aty.
Në paragrafin e njoftimit rreth marrëdhënieve dypalëshe u përmend edhe dialogu strategjik.
“Bashkë diskutuan edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve tona, për mundësi të reja për avancimin dhe thellimin e tyre dhe për përfitimet nga Dialogu Strategjik. U theksuan edhe veprimet e shpejta të ndërmarra nga Republika e Kosovës për strehimin e refugjatëve afganë dhe rreshtimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian në dënimin dhe sanksionimin e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës” thuhet në njoftim.
Çka është Dialogu Strategjik?
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur Dialog Strategjik me shumë vende të botës dhe përmes tij synojnë forcimin e marrëdhënieve, bashkëpunimin dhe strategjitë e përbashkëta në çështje si siguria, ekonomia dhe politika e jashtme. Me disa vende, SHBA synon që përmes tij të rrisë sigurinë dypalëshe, të nxisë inovacionin prosperitetin ekonomik dhe që të mbështesë vlerat e përbashkëta demokratike dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar.
SHBA ka Dialog Strategjik me vende si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Sllovenia, Italia, Greqia, Egjipti, Katari e të tjera. Ndërkaq, nga Ballkani Perëndimor, SHBA ka Dialog Strategjik me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Serbia gjithashtu tenton të vendosë Dialogun Strategjik me SHBA-në.
Nga vendet e rajonit ishte Maqedonia e Veriut e para që vendosi Dialog Strategjik me SHBA-në më 2 qershor 2022. Në këtë datë, qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut mbajtën një Dialog Strategjik në Uashington DC, i fokusuar në thellimin e partneritetit dypalësh.
Dialogun Strategjik e drejtuan Bujar Osmani, që atë kohë ishte ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut dhe ndihmëssekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried.
“Ata pohuan marrëdhëniet e forta midis dy vendeve të tyre dhe pritën të avancojnë së bashku prioritetet e përbashkëta për sigurinë dhe prosperitetin dypalësh, në kontinentin europian dhe në mbarë botën”, thuhet në një njoftim të Departamentit të Shtetit.
Ndërkaq, Shqipëria u bë e dyta nga rajoni që nisi Dialog Strategjik me SHBA-në në tetor të vitit 2022. Kjo u pa si mundësi për zgjerim dhe forcim të mëtejshëm të bashkëpunim mes dy vendeve.
Ish- inistrja për Integrime Europiane e Shqipërisë, Olta Xhaçka, e kishte takuar Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Ky i fundit më pas kishte shkruar më pas për këtë takim me Xhaçkën në një postim në X.
“Ne diskutuam për prioritetet e përbashkëta në reformën demokratike, mbrojtjen, duke përfshirë mbrojtjen kibernetike, ndryshimet klimatike dhe tregtinë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë, një aleate prej kohësh”.