Me iniciativë të presidentes Vjosa Osmani Sadriu, më 22 e 23 tetor u mbajt në Prishtinë i ashtuquajturi Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Ky forum i organizuar në tetor të këtij viti me iniciativë të presidentes Osmani në bashkëpunim me kryediplomaten Donika Gërvalla, ndonëse ishte vetëm dyditor i kushtoi këtyre dy institucioneve hiç më pak se rreth 200 mijë euro.
Këtë e ka konfirmuar edhe Zyra e Presidentit përmes një përgjigjeje zyrtare, pas kërkesës së bërë nga Demokracia.com për qasje në dokumente publike.
Zyra e Osmanit ka treguar se bashkorganizatorët i kanë ndarë shpenzimet që janë bërë nga këto dy institucione për organizimin e këtij forumi dyditor.
“Totali i shpenzimeve për organizimin e Forumit dyditor është: 194,211.66 Euro”, thuhet në përgjigjen e zyrës së presidentes Vjosa Osmani.
“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës do të mbulojë shpenzimet në vlerë 133,544.29 Euro. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbulojë shpenzimet në vlerë 60,667.37 Euro”, thuhej më tej në përgjigjen e zyrës së Osmanit.
E këto shpenzime u bënë për blerjen e biletave për disa të ftuar nga jashtë dhe panelistë, dhurata e shërbime protokollare, shërbime të PR-it, dreka, darka e akomodim të të ftuarve nga jashtë.
“Shpenzimet e Forumit janë bërë në kategori të ndryshme duke përfshirë:
– Biletat e disa të ftuarve nga jashtë dhe panelistëve;
– Shërbime të përkthimit;
– Shërbime të zërimit;
– Dhurata dhe shërbime protokollare;
– Vetura me qira dhe shërbime të transportit;
– Shërbimeve të PR-it, përfshirë blerjen e domain-it, dizajnimin, mirëmbajtjen dhe hosting-un e uebfaqes; shërbimet e brendingut/dizajnimit të konceptit kreativ të Forumit, dizajnimin dhe printimin e të gjitha materialeve promovuese;
– Furnizim me flamuj;
– Shërbime të binave,
– Shërbime të ndriçimit;
– Akomodim të të ftuarve nga jashtë;Dreka dhe darka gjatë Forumit;Shërbime të printimit për materialet gjatë Forumit
– Sallat e takimeve dhe hapësirat në të cilat janë organizuar sesionet e Forumit;
– Dekorimi i sallave”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Organizimi i këtij forumi ishte shoqëruar me kritika të shumta, pasi që aty u dekoruan gra ukrainase, por nuk u ftuan si paneliste asnjëra prej grave që ishin pjesë e luftës së UÇK-së, që aktualisht janë edhe deputete. Po ashtu, ndonëse forumi kishte për synim sigurinë, aty nuk ishte ftuar as vetë kryesuesja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, por as ish-deputete e figura kryesore të rezistencës siç është Flora Brovina.
I vetmi homolog që i kishte ardhur Osmanit është ai i Maltës, George Vella, i cili u bë “yll i forumit” ato ditë.