Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka pritur sot në takim një delegacion nga Komisioni i Venecias, i përbërë nga raportuesja Grainne McMorrow, zëvendës sekretari Schnutz Dürr, si dhe shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Frank Power.
Gjatë takimit, Presidenca njofton se Osmani ka shpjeguar nevojën e procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë të Kosovës, me ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore.
“Presidentja Osmani ka theksuar se një proces i mirëfilltë dhe profesional i vettingut është jetik për ta forcuar sundimin e ligjit, si dhe për të garantuar integritetin, efikasitetin dhe profesionalizmin e sistemit të drejtësisë. Si i tillë, procesi i vettingut ka për synim forcimin e cilësisë së sistemit të drejtësisë, i cili ndikon drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.
Gjatë takimit bëhet e ditur se është diskutuar për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Komisionit të Venecias.
“Presidentja Osmani ka shprehur falënderim për mbështetjen e vazhdueshme që Komisioni i Venecias i ka ofruar Republikës së Kosovës”, thuhet tutje.
Ndryshe, sot gjatë ditës delegacionin e Venecias e ka pritur në takim edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët.
Në takim, ndër të tjera, Kuvendi njofton se është diskutuar për reformën në drejtësi, me theks të veçantë procesin e vettingut dhe rëndësinë e këtij procesi për sundimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës.