Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Beteja e Koshares është një ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së.
Ajo ka kujtuar rënien e komandantëve Salih Çekaj, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi.
“Sot shënojmë përvjetorin e Betejës së Koshares, njërës ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ditë, kujtojmë me respekt heronjtë e Betejës së Koshares dhe të luftës çlirimtare të UÇK-së. Beteja e Koshares dëshmoi fuqishëm se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria nuk ka çmim. Rënia heroike e komandantëve Salih Çekaj, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi dhe komandantëve e luftëtareve të tjerë, dëshmoi se Beteja e Koshares ruan vend nderi në kujtesën tonë kolektive. Përulemi para trimërisë dhe sakrificës së luftëtarëve të lirisë nga Poroji i Tetovës, Tirana e Tropoja, Tuzi e Presheva dhe vullnetarëve nga vende të tjera, të cilët iu bashkuan luftës së popullit të Kosovës për liri dhe dinjitet. Manifestimet “Ditët e Shqipes”, që i kushtohen kësaj beteje të lavdishme, organizohen nën përkujdesin e Presidentes së Republikës së Kosovës. I përjetshëm qoftë kujtimi dhe e pavdekshme lavdia për heronjtë e Koshares dhe luftën e popullit të Kosovës për liri”, ka thënë ajo.