Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar rolin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe ndërtimit të një demokracie të qëndrueshme.
Në një postim në platformën “X”, Osmani ka shprehur krenarinë e Kosovës si “vendi më pro-amerikan në botë”, duke nënvizuar partneritetin e ngushtë me SHBA-në dhe gatishmërinë për ta forcuar këtë aleancë nën vizionin e Presidentit Donald Trump për “paqen përmes forcës”.
Në postimin e saj, Osmani ka reflektuar mbi historinë e dhimbshme të Kosovës, duke përmendur mbijetesën nga gjenocidi dhe sfidat e mëdha për të ndërtuar një shoqëri të lirë dhe paqedashëse, transmeton Gazeta Papirus.
“Kosova qëndron si dëshmi se drejtësia, kur mbrohet, mund të triumfojë, se NATO-ja kur udhëhiqet nga vlerat, mund të shpëtojë jetë dhe se liria, kur fitohet, bëhet forca më e madhe e një kombi,” ka shkruar ajo.
Osmani ka falënderuar SHBA-në dhe aleatët e tjerë që qëndruan pranë Kosovës gjatë kohërave të vështira dhe vazhdojnë ta mbështesin sot.
“Si kombi më pro-amerikan në botë, jemi krenarë që qëndrojmë krah për krah me popullin amerikan, në çdo situatë. Është një aleancë që nuk ka të krahasuar”, ka shkruar Osmani.