Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me guvernatoren e shteti të Iowas, Kim Reynolds tha se kanë diskutuar edhe për situatën e sigurisë në vend.
Osmani tha se për Kosovën, aleanca me SHBA-në është “ekzistenciale”.
“Për Republikën e Kosovës, aleanca me Shtetet e Bashkuara vazhdon të mbetet ekzistenciale. Qytetarët tanë janë populli më proamerikan në botë, prandaj siç i shpreha edhe guvernatores Reynolds më herët, në Kosovë ju gjithnjë do të gjeni miq dhe partnerë të përkushtuar”, tha ajo.
Ajo tha se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara “janë të rrënjosura në vlera të përbashkëta dhe në angazhimin tonë për demokraci, sundim të ligjit, si dhe për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm në vend e rajon”.
Duke folur për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në BE dhe në NATO, Osmani tha se kjo s’është e mundshme pa SHBA-në dhe partnerët tjerë.
Osmani tha se bashkëpunimi dhe partneriteti ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së “po rritet çdo ditë e më shumë”.