Kryetari i Partisë Demokratike në Serbi, Srgjan Millivojeviq, ka deklaruar për televizionin N1 se refuzimi i kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas, për t’u fotografuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq gjatë vizitës në Beograd është një mesazh i qartë politik nga Bashkimi Evropian, transmeton Gazeta Papirus.
Sipas tij, ky gjest tregon se “BE-ja më nuk e percepton Vuçiqin si evropian” dhe se “ai nuk mund të shtiret më me fasadën evropiane, ndërkohë që vijon të mbajë uniformën e radikalistit”.
Millivojeviq kujtoi deklaratat e vjetra të Vuçiqit nga koha kur ishte pjesë e regjimit të Millosheviqit, duke theksuar se ai “nuk ka lëvizur as për një milimetër nga ato qëndrime”.
Gjatë një takimi me opozitën në Beograd, Millivojeviq tha se Kallas nuk foli shumë, por dëgjoi me vëmendje shqetësimet e tyre për situatën në Serbi. Ai shtoi se ajo “shfaqi interes të veçantë për zhvillimet e brendshme në Serbi, të cilat, sipas saj, po kërcënojnë më shumë stabilitetin e rajonit sesa raportet mes Beogradit dhe Prishtinës”.