Rritja e çmimit të faturave të energjisë elektrike nga ana e Zyrës për Rregullatorin e Energjisë për 100% sapo që të arrihet bllok-tarifa e 800 kW ka ngjallur reagimin e opozitës.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, me anë të një konference për media, ka paralajmëruar dërgimin e vendimit në instanca gjyqësore, duke filluar nga Gjykata Themelore deri tek ajo Kushtetuese, raporton lajmi.net.
Më tej, ai ka thënë se po sinkronizohet edhe me shefat e grupeve të tjera parlamentare për diçka të tillë.
“Ne si PDK sot propozuam një mocion procedural për të futur në mënyrë urgjente e cila lidhet me vendimin e ZRRE-së, pra vendim të cilin e shpjeguam që nuk duhet të kalojë. Si duket kemi një sinkronizim mes qeverisë, VV-së dhe ZRRE-së për vendosmërinë e tyre për rritjen e çmimit të rrymës. Padyshim se do ta ftojmë një seancë të jashtëzakonshme si opozitë. Ditëve në vijim do të bëjmë edhe kundërshtimin e këtij vendimi përmes institucioneve tona gjyqësore të vendit tonë. Duke filluar nga Gjykata Themelore e Prishtinës deri tek Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar ai në konferencë.