Opozita në Kuvendin e Kosovës e akuzoi Qeverinë për situatën në veri të vendit, ku, tash e dy javë, grupe të qytetarëve serbë kanë bllokuar rrugët.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, tha se situata në veriun e banuar me shumicë serbe është “jashtë kontrollit” për shkak të “veprimeve të papërgjegjshme” të Qeverisë së Kosovës.
Sipas tij, Qeveria nuk i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në veri.
Ishte një kërkesë shumë dashamirëse dhe e arsyeshme nga aleati ynë më i besueshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e përkrahur fuqishëm nga partnerët evropianë. Kini durim dhjetë muaj të merremi me esencën e problemit dhe jo me derivatet e problemit.”, u shpreh Quni.
Përkundër kërkesës së SHBA-së dhe BE-së për shtyrje të vendimit, Qeveria e Kosovës, më 1 nëntor, ka nisur zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.
Për pasojë, përfaqësuesit serbë në veri kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Kosova dhe Serbia, ndërkohë, kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave, por tensionet kanë vazhduar.
Derisa autoritetet e Kosovës kanë qenë duke u përgatitur për zhvillimin e zgjedhjeve lokale në veri, grupe të serbëve atje kanë sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe ata policorë.
Zgjedhjet janë shtyrë, pastaj, për në pranverë të vitit të ardhshëm.
Më 10 dhjetor, Policia e Kosovës ka arrestuar një ish-zyrtar të saj serb, nën dyshimet për përfshirje në sulmin kundër zyrtarëve të KQZ-së.
Dhe, arrestimi i Dejan Pantiqit është bërë shkak që grupe të serbëve lokalë të ngrenë barrikada dhe t’i bllokojnë rrugët që çojnë kah vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, tash e dy javë.
Quni tha se me veprimet e njëanshme, pa dakodrim me ndërkombëtarët, Qeveria ka rrezikuar edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, disa prej të cilëve kanë mbetur të bllokuar në pjesën veriore.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, i bëri thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të jetë në kontakt me NATO-n dhe SHBA-në.
“Komunikimi me NATO-n, me SHBA-në për siguri, është i domosdoshëm dhe është detyrë e jotja. Nuk kemi të bëjmë këtu me vullnetin tënd”, tha Berisha.
Kurti, edhe pse i pranishëm në seancë, nuk iu përgjigj këtyre deklaratave, ndonëse në disa raste më herët ka thënë se veprimet e Qeverisë koordinohen me partnerët ndërkombëtarë.
Deputeti i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Luan Aliu, tha se përmes tensionimit të situatës në veri, “Serbia po kërkon të vazhdojë luftën, të cilën e humbi dekada më parë”.
Autoritetet në Serbi kanë deklaruar se i mbështesin barrikadat. Ngjashëm edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila funksionon me mbështetjen e Beogradit.
Lista Serbe, një ditë më herët, ka nxjerrë një varg kushtesh për largimin e barrikadave – në mesin e tyre: lirimi i Pantiqit dhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Nëse asnjë nga këto nuk pranohet, atëherë serbët sigurisht se nuk do t’i largojnë barrikadat”, thotë për Radion Evropa e Lirë Dushan Radakoviq, nga organizata joqeveritare Qendra për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike, me seli në Mitrovicë të Veriut.
Sipas tij, në këtë situatë duhet të ketë vetëm zgjidhje politike.
Qeveria e Kosovës ka thënë se ka kapacitete për t’i larguar barrikadat, por se i ka dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i zhbllokojë vetë rrugët.
Nëse KFOR-i nuk vepron, “ne do t’i heqim barrikadat”, ka thënë ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, më 22 dhjetor.
“Ata [KFOR] kanë kërkuar kohë që ta bëjnë vetë largimin e barrikadave. Ne tani po presim që këtë angazhim të tyre ta realizojnë… Ditëve që po numërohen, po u vjen fundi”, ka thënë Sveçla.
Radio Evropa e Lirë pyeti misionin e KFOR-it nëse do të ndërmarrë ndonjë veprim për largimin e barrikadave dhe nëse mbështet ndonjë operacion të institucioneve të Kosovës për zhbllokimin e rrugëve në veri, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Radakoviq thotë se çdo tentim i Qeverisë së Kosovës për t’i larguar me forcë barrikadat, mund të jetë “vdekjeprurës”.
“Besoj se policia dhe zyrtarët policorë, si dhe komuniteti ndërkombëtar, ambasadat e huaja, nuk do t’i lejojnë institucionet [e Kosovës] ta bëjnë këtë, sepse e dinë më mirë se Sveçla se serbët do të reagonin dhe definitivisht dikush mund të vdesë – serbë apo policë”, thotë Radakoviq.
Më 20 dhjetor, kryeministri Kurti ka thënë në një intervistë për gazetën britanike, Guardian, se është pajtuar që t’i japë kohë KFOR-it për heqjen e barrikadave, por se ato nuk mund të lejohen që të qëndrojnë për kohë të gjatë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se barrikadat do të hiqen kur të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, për të cilin është rënë dakord në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Autoritetet e Kosovës janë kundër këtij asociacioni, me arsyetimin se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik dhe se ai nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.