Opozita konsideron se vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës lidhur me afatin e konvertimit të targave duhet të ishte i bazuar në kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për shtyrjen e këtij afati për 10 muaj.
Qeveria e Kosovës, përkundër kërkesës ndërkombëtare, në mbledhjen e djeshme mori një vendim të ri, që nuk parasheh shtyrjen për 10 muaj të afatit, por shkallëzim të sanksioneve – që ndahet në tri etapa – për të gjithë ata që nuk konvertojnë targat ilegale serbe në ato të Republikës së Kosovës.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, veprimin e qeverisë e ka quajtur tërheqje fëmijërore.
Madje, Haxhiu thotë se kryeministri Albin Kurti duke mos e zbatuar këtë vendim për afatin e targave po inkurajon grupet kriminale të veriut që të mos i respektojnë autoritetet shtetërore,
“Tërheqje fëmijërore në formë dhe antikushtetuese e antiligjore në përmbajtje. Strtukturat paralele dhe kriminale që nuk njohin dhe kundërshtojnë shtetin e Kosovës dhe gjuajnë me plumba policët e Kosovës, Albin Kurti ka marrë vendim që t’i qortojë disa muaj, kjo është tallje!”.
“Me këtë tërheqje nga moszbatimi i vendit të qeverisë për targat Albin Kurti po inkurajon grupet kriminale në veri për të rezistuar autoritetet e shtetit të Kosovës. Qeveria nuk qe në gjendje të ruajë autoritetin vendimmarrës të shtetit dhe as raportet me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë Haxhiu.
Ky vendim po konsiderohet i dëmshëm për vendin sipas deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, e cila ka deklaruar se mosrespektimi i kërkesës së ShBA-së e vendos Kosovën në një situatë jo të dëshiruar.
“Vendimi i ri për targat ilegale nga ana e Qeverisë bie në kundërshtim me kërkesën e ShBA-së dhe BE-së. Në këtë kontekst konsideroj se veprimi i Kryeministrit Kurti është i dëmshëm për vendin marrë për bazë zhvillimet e reja rreth dialogut dhe dinamizimin e kësaj çështje nga aleatët tanë kryesorë”.
“Ne e pamë mbrëmë një reagim nga administrata amerikanen ku shprehën zhgënjimin e tyre ndaj Qeverisë së Kosovës për refuzimin e kërkesave të partnerëve ndërkombëtar, për shtyrjen e afatit për targat për 10 muaj. Injorimi i kësaj thirrjeje për një çështje që ka qenë krejtësisht teknike, si kjo e targave, vendos Kosovën në një pikë të padëshiruar nga aleatët tanë. Është gabim i madh të veprohet në kundërshtim me thirrjet e SHBA-së. Kosova nuk ka humbur asnjëherë nga partneriteti me Amerikën, përkundrazi ka dalur fitimtare në të gjitha proceset”.
Krasniqi po ashtu ka thënë se presin reflektim nga Qeveria e Kosovës, pas këtij vendimi, në mënyrë që të mos lëndohen raportet me partnerët strategjikë.
“Veçmas ShBA-në, sepse atëherë situata do të ishte më e rënduar dhe sigurisht pasojat do të ishin më të mëdha për vendin. Nuk guxon askush të mendojë acarimin e marrdhënieve me ta. Prandaj, është e domosdoshme që të respektohen thirrjet dhe kërkesat e aleatëve tanë”, ka pohuar deputetja e LDK-së.
Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, thotë se qeveria e drejtuar nga Albin Kurti do të duhej ta kishte kryetemë marrëveshjen finale me Serbinë dhe jo një çështje teknike.
Kur flet për vendimin e fundit të qeverisë, ai thotë se zbatimi i vendimit për targat është legjitim, por moskoordinimin me ShBA-në e vlerëson si shqetësues.
“Është zhgënjyese se si qeveria jonë me paaftësinë e saj ka arritur që një çështje teknike ta bëjë kryetemë, në vend se tani të diskutohej për marrëveshjen finale e cila në të ka njohjen reciproke me shtetin fqinj. Sa i përket vendimit të fundit të qeverisë për targat, natyrisht që Qeveria e Kosovës e ka kompetencën dhe të drejtën e plotë që të marrë çfarëdo vendimi në zbatim të ligjit dhe rendit kushtetues, por moskoordinimi me aleatët tanë, ShBA-në, është tejet shqetësues”, ka thënë Lekaj.
Deputeti opozitar i konsideron kërkesat e ShBA-së ndaj Kosovës si të dobishme, derisa shton se edhe çështja e targave do të duhej të ishte në frymën e kërkesës së Washingtonit zyrtar.
“Nëse kthehemi në të kaluarën e shohim se çfarëdo kërkese që ka ardhur nga aleatët tanë amerikanë është vërtetuar si e drejtë dhe dobishme për Kosovën, sidomos në aspiratat tona strategjike dhe në raport me Serbinë. Sigurisht se ligjërisht qeveria ka autoritetin e plotë për vendimmarrje, por në diplomaci mund edhe të shtyhen afatet për hir të partneritetit me miqtë tanë”.
“Këto sjellje të pamenduara mirë sigurisht se kanë rrezikun e vet. Qeveria e Kosovës po dëshmohet si joserioze në partneritet me aleatët amerikanë. Në periudhë të afërt kohore na presin procese kritike për shtetin, andaj qeveria do duhej të reflektojë dhe ta ketë të qartë që në secilin hap partneriteti me ShBA-të dhe aleatët e tjerë të vendit është jetik”, ka deklaruar Lekaj.
Kujtojmë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas vendimit të djeshëm, kanë reaguar duke thënë se janë të zhgënjyer dhe të shqetësuar që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat ndërkombëtare.
“Shtetet e Bashkuara, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë Qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të regjimit të ri të targave. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyer dhe të shqetësuar që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve të saj ndërkombëtarë për ta bërë këtë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price.
Vendimi i ri i qeverisë për targat hyn në fuqi nga 1 nëntori, ku nga kjo datë deri më 21 nëntor do të vlejë masa e qortimit, nga 21 nëntori deri më 21 janar do të jetë në fuqi masa e gjobitjes, dhe nga 21 janari deri më 21 prill do të ketë targa provuese.
Kryeministri Albin Kurti tha se “kjo është mënyra që edhe ta zbatojmë rendin dhe ligjin, por edhe ta kemi përgjigjën tonë për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes e sigurisë në vendin tonë, por jo vetëm”.