Subjektet opozitare nuk ia kanë njohur asnjë sukses Qeverisë Kurti. Në debatin parlamentar për dy-vjetorin e qeverisë, PDK, LDK- dhe AAK kanë kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat e tij.
Në adresimet e tyre, deputetët e këtyre partive kanë thënë se gjatë këtyre dy viteve qeveria nuk ka mbajtur asnjë premtim.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se fytyra e vërtetë e Qeverisë Kurti gjatë kësaj kohe ka qenë shpopullimi i vendit.
“Përgjatë dy viteve të fundit, mesatarisht 147 persona në ditë e lëshojnë Kosovën, për të kërkuar një jetë më të mirë larg vendit. Mesatarisht, mbi 1000 qytetarë në javë. Pra, gjatë 2 viteve të qeverisjes suaj, 107,310 qytetarë të Kosovës kanë ikur nga Kosova. Jo si turistë, po si mërgimtarë që kanë humbur shpresën e besimin në perspektivën që mund ta ofroj shteti jonë. Të reja e të rinj, vet e me familje. Nga fshati e nga qyteti, nga çdo cep i Kosovës. Të papunë e të punësuar. Mjekë e mësimdhënës. Infermierë e arkitektë. Inxhinierë e bankerë. Nga çdo kategori sociale”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka vlerësuar se kjo ikje po ndodh nga mosveprimi i Qeverisë.
“Kosova po zbrazet. Vendi ynë po shpopullohet. Familjet tona po zvogëlohen. Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes tënde, kryeministër. Ky migrim i paprecedent flet më së miri se sa janë të kënaqur njerëzit dhe familjet me punën tënde. Çkado që flet sot Kryeministër, nuk e ka asnjë vlerë. Mos u merr me neve këtu në Kuvend. Tregoju atyre rreth 100 mijë familjeve që ju kanë ikur fëmijët gjatë qeverisjes tënde se çfarë suksese ke arritur me qeverisjen e sa mirë ua ke përmirësuar jetën”, ka thënë Krasniqi.
Kurse, shefi i Grupit Parlament të LDK-së, Arben Gashi, ka përmendur shtrenjtimin e jetës se qytetarëve gjatë këtyre dy viteve.
“Thatë që qytetarët flenë në thëngjill dhe energjia është e shtrenjtë. Në qeverisje keni dhënë qindra miliona euro për energjinë dhe keni bërë shtrenjtimin e energjisë njëherë mbi 100 për qind e njëherë 15 për qind. Humbja e mostrave të Astrit Deharit është përgjegjësi e juaja. Në politikën rajonale e vetmja që do të mbahet mend është glorifikimi i Oliver Ivanoviqit. ku një kriminel lufte glorifikohet. Thatë se do të dialogoni me Serbinë vetëm pas kërkim-faljes. Shkuat në dialog dhe bëtë marrëveshje që vetë keni premtuar se kurrë nuk do ta bëni lëtë marrëveshje dhe tash do ta formoni Asociacionin”, ka thënë Gashi, duke vazhduar kritikat ndaj kryeministrit.
“Ju kryeministër po themeloni autonominë territoriale të komunave me shumicë serbe dhe kjo është shkelja me e rëndë që u bëhet qytetarëve dhe Kushtetutës së Kosovës. Sot po flasim për një dështim dhe paaftësi dyvjeçare. Edhe në dy vjetët e ardhshëm do të jeni dështim me këtë logjikë, me këtë gllabërim të pushtetit, me këtë krijim të vakancës në institucione të shtetit”, është shprehur deputeti i LDK-së.
Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Ai ka kërkuar nga kryeministri që të largohet nga posti.
“Dikur i ke thanë Hashim Thaçit, në këtë foltore, shko Hashim. Shko se kjo, shko se ajo. Ta deshti puna shkoi Hashimi, çka është më mirë në qet Kosovën tonë? Prej që ke ardhë ti unë nuk po shoh që dikush ka pa hajr prej teje. Nuk e di një kategori apo një shtresë që ta ka pa hajrin. Edhe unë po te them shko Albin, se nuk ia ka qet asgjë në dritë në Kosovë. Veç nuk mujë me të thanë, shko atje ku janë ata. Shko du të dush ti, veç shko”, ka deklaruar Haradinaj.
Kurse, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se Qeveria Kurti ua ka humbur shpresën qytetareve të Kosovës.
“Kjo qeveri për dy vite të qeverisjes, nga qeveria e shpesës lirisht mund te quhet qeveria e pa shpresë. Kjo qeveri nuk po dinë, nuk po mundet dhe nuk po do të punojë për mirëqenien e qytetareve dhe forcimin e shtetit”, ka thënë Lekaj.
Kurti numëron punët e Qeverisë
Ndryshe kanë folur kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarët e partisë në pushet.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se gjatë këtyre dy viteve Qeveria është treguar e suksesshme në të gjitha fushat.
Në adresimin e tij të gjatë ai ka përmendur reformat dhe punët që i ka bërë qeveria e tij.
“Prej asaj se si ligji që e rrit pagën minimale e deri tek fakti që trusti kishte humbje kur kishte bord e paradoksalisht ka fitim pa bord kjo flet për kontradiktën e pyetjes suaj. Do të flas për punën dhe drejtësinë si shtyllat e qeverisjes sonë. Patëm rritje 10.7 për qind të brutoproduktit vendor në vitin e parë të qeverisjes, në të dytin 4 për qind. Nëse merret mesatarja e dy viteve është 7 për qind, më e larta. Janë dy vite dhe kemi ende shumë punë për të bërë në ndihmë të eksportit dhe prodhimit vendor”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë me dije rritja ekonomike ka rezultuar edhe në rritje të punësimit.
“Për 21 muaj, nga marsi i vitit 2021 deri në dhjetor 2022, është rritur punësimi primar nga 325 mijë e 467 të punësuar në 362 mijë e 817 të punësuar. Pra, për 21 muaj, 37 mijë e 350 të punësuar më shumë, dhe numri i grave të punësuara është 50.3 për qind i rritjes së gjithmbarshme”, ka thënë Kurti.
Gjatë këtij debati, i cili po vazhdon ende, ka pasur edhe shumë përplasje të ministrave me deputetë të opozitës. Në këto debate nuk kanë munguar as fyerjet. Për t`i ndalur këto fyerje, kryetari i Kuvendit, Glauk Konnjufca, disa herë ia ka tërhequr vërejtjen deputeteve dhe zyrtarëve qeveritar.