Hajriz Zabeli është njëri nga 649 operatorët ekonomikë që janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, apo siç njihet “Gjykata e tenderëve”. Kjo e fundit, prej marsit 2021 është jofunksionale për shkak të mungesës së Bordit, i cili ka mbetur pa u zgjidhur si peng i politikës.
Për këtë arsye, Zabeli për emisionin “De Jure” në Tëvë1 ka thënë se ankesat e kompanisë së tij nuk janë shqyrtuar tash e 11 muaj, për shkak të mosfunksionimit të Bordit.
“Kanë ngelur njëmbëdhjetë muaj pa zgjidhje normale, pasi s’është e funksionalizuar gjykata e tenderëve te OSHP-ja. Ne nuk mundemi më tutje të veprojmë, edhe pse kemi raste që kemi edhe padi në Gjykatë që kemi bërë, por nuk kemi qenë të kënaqur me vendimin e OSHP-së edhe kemi bërë padi në Gjykatë”, u shpreh ai.
Ai shtoi se kjo i ka dëmtuar në mënyre indirekte, pasi u ka mbetur malli i blerë në stok dhe kanë mbetur pa përgjigje nga OSHP-ja.
“Ka dëme indirekte. Nuk mund të themi që ka dëme direkte, se ne e kemi bërë një plan tonë të biznesit për të marrë pjesë në ata tenderë, jemi furnizuar me atë materie, me ato mallra dhe ato mallra kanë ngecur. Tash, ato do të mbeten pezull deri të bëhet një zgjidhje e atyre tenderëve. Sidomos e kemi një rast me material didaktik për shkolla, ku ai mall nuk mund të ofrohet në shitje të lirë, se është mall për plasmast special vetëm për shkolla dhe na ka ngelur neve në stok. Është puna që ne dëmtohemi, sigurisht dëmtohemi, jo në masë të madhe ashtu, por dëmtohemi. Varet prej tenderit në tender. Ne kemi tre tenderë që pretendojmë që kemi pasur të drejtë. Diku e kemi mallin që na ka ngecur neve në stok e që vlera është mbi 150 mijë euro”, ka thënë ai.
Për më shumë ndiqeni hulumtimin mbi “Lufta politike” për gjykatën e tenderëve, i cili po transmetohet në Tëvë1 dhe Betimi për Drejtësi.