Një operacion i përbashkët mes SPAK-ut dhe autoriteteve italiane është zhvilluar në Shqipëri. Mësohet se në shënjestër të agjencive ligjzbatuese kanë qenë mashtrimet me call center.
Prokurori i SPAK Ened Nakuçi në një deklaratë për mediat ka dhënë detaje në lidhje me një grup të strukturuar të mashtrimit online që mashtronte dhe u merrte para qytetarëve italianë.
Nakuçi në fjalën e tij është shprehur se kjo është një skemë mashtrimi që është zbuluar në kuadër të një bashkëpunimi me autoritetet italiane dhe që është vijim i hetimeve të një operacioni të zhvilluar më parë në këtë drejtim.
Më tej Nakuçi tha se në total janë mashtruar 140 qytetarë italianë, të cilët kontaktoheshin përmes telefonit dhe bindeshin për të investuar shuma të vogla.
“Lidhur me aksionin nga SPAK dhe asaj italiane, u nxorën 14 masa të reja sigurie për shtetasit shqiptar. Ata janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merreshin me shitjen online. Janë rreth 140 kallëzime nga personat e dëmtuar në Itali. Shuma e dëmit të kryer shkon në 4.7 mln euro. Verifikimet kanë nxjerrë skemën e mashtrimit, ku viktimat telefonoheshin dhe bindeshin për të investuar në shuma të vogla. Ka rezultuar se mashtruesish ishin të zotë në përdorimin e teknikave bindëse. Për çdo transferim rezultante dhënia e sasive bitcoin, duke humbur gjurmët e parave që investoheshin. Këta drejtues janë IT dhe konsulentë të shitjeve. Hetimet vijojnë dhe për persona të tjerë të përfshirë. Paratë e viktimave janë shndërruar në kriptovaluta”, u shpreh Nakuçi.
Ndërkohë prokurorja italiane tha se janë kryer kontrolle në 60 kompjutera të subjekteve call-center.
“E tha dhe kolegu me hollësi, si pasojë e këtij bashkëpunimi ne bëmë kontrolle në këtë call-center dhe bëmë kontrolle në 60 kompjutera. 60 postacione PC do të thotë se është një masë e gjerë të dhënash. Rezultati i kësaj pune ishte bashkëpunimi që patëm nga ky korrupsion”, u shpreh prokurorja italiane.