Prokuroria Themelore e Ferizajt në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Departamentin për Krime të Rënda, kanë realizuar sot bastisje në nëntë lokacione në kuadër të operacionit “Brezovica”, raporton Ekonomia Online
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Frizaj, Shukri Jashari ka thënë se në kuadër të aksionit të nisur më datën 21 dhjetor 2021, sot në orët e hershme të mëngjesit janë bastisur nëntë lokacione në tri komuna, në Ferizaj, Shtërpcë dhe Prishtinë dhe disa zyre në Ministrinë e Mjedisit.
Përmes një konference për medie, Jashari ka thënë se me vendim të prokurorit, është caktuar ndalesa për 48 orë për Bedri Halimi kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit dhe ish-sekretarit të këtij dikasteri, Arben Çitakut.
“Gjatë kësaj bastisje janë sekuestruar prova materiale të cilat do të shërbejnë për procedurën penale. Me vendim të prokurorit sot është ndaluar 48 orë Bedri Halimi kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit nën dyshimin e ka kryer veprën penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” gjithashtu është ndaluar edhe ish-sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku nën dyshimin e ka kryer veprën penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “marrje ryshfeti””, tha Jashari.
Ai shtoi se gjithashtu është ndaluar edhe një qytetar, respektivisht investitor i një lagjeje në Brezovicë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “ushtrim i ndikimit dhe marrje e ryshfetit”.