Një operacion i gjerë kundër korrupsionit është zhvilluar të mërkurën në Prizren nga Sektori Rajonal i Hetimeve, në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në këtë qytet, Petrit Kryeziu.
Gjatë aksionit janë arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale “Ushtrim i ndikimit”.
Detaje për rastin për Insajderin ka dhënë zëdhënësi i policisë, Shaqir Bytyqi teksa konfirmoi arrestimin e tre personave; një avokati, një të pa punësuari dhe shoferit të gjykatës.
Të dyshuarit, në bashkëveprim, dyshohet se i kanë premtuar një viktime ndikim në vendimmarrje te një zyrtar publik për lirimin nga paraburgimi të një personi të dyshuar për rastin “Fajdeja”.
“Sektorin Rajonal i Hetimeve/DRP- Prizren, pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren sot me datë 22.05.2025 ka filluar realizimin e operacionit policor për arrestimin e personave të dyshuar për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit”, të cilët në bashkëveprim i kane premtuar një viktime, se nê emër të personit zyrtar do të ndikojnë në vendimmarrje tek personi zyrtar, për lirimin e një te dyshuari nga paraburgimi, i cili është i dyshuar për rastin “Fajdeja”, tha Bytyqi.
“Gjatë operacionit policor i dyshuari nr.1 (i pa punë), i dyshuari nr.2.(shofer ne Gjykatën Themelore ne Prizren) dhe i dyshuari nr.3 (avokat) janë arrestuar dhe shoqëruar në ambientet e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Prizren”.
Me urdhër të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore ne Prizren, zëdhënësi shtoi se janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet tjera përcjellëse të të dyshuarve dhe gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Të tre, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Të dyshuarit në prezencë të avokatëve mbrojtës janë intervistuar dhe me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria , i’u caktohet masa e ndalimit për 48 orë”.
Insajderi raportoi se ishte arrestuar avokati Bekim Parallangaj. Bashkë me të ishte arrestuar edhe zyrtari i Gjykatës në Prizren, Nysret Pepniku, i njohur me pseudonimin Ceti.
Si dhe një person tjetër, i cili ishte në proces identifikimi sa i përket vendit të punës, por që kishte shërbyer si ndërmjetës në grup, me emrin Bekim Krasniqi.