Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e shpalli si fillim “gjendje të jashtëzakonshme” situatën me mbeturina në kryeqytet. Më pas, e ndërroi duke e shpallur në “gjendje emergjente”. Krejt kjo si shkak i ngatërrimit në terminologji, meqë shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme është kompetencë e presidentit.
Ditë më vonë filluan akuza e kundër-akuza mes Ramës, drejtorit të Shërbimeve Publike, Bekim Brestovcit e Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Pastrimi”, që drejtohet nga Petrit Reçica.
Por, akuzat mes këtyre dy personave nuk po ndalen.
Gjatë ditës së sotme Brestovci dhe Reçica kanë shkëmbyer disa komente në Facebook.
Bekim Brestovcit e ka bërë një status në profilin e tij duke thënë se gjendja aktuale në prishtinë është e keqe.
“Petrit Reqica, kjo eshte gjendja aktuale ne Kryeqytet, perderisa ti akoma mundohesh me e gjete fajtorin diku tjeter. Hjeki mbeturinat Kryeshef se nuk ndryshon gjendje me shtremberim të realitetit por me punë e veprime konkrete”.
Ndaj ketij postimi ka reaguar Reçica
“Ooo Bekim Brestovci veç me i pas krahët edhe me fluturu diqysh. Sot gjithë ditën e kemi kalu tu ju kontaktu Komunën edhe DSHP-në me na ofru qasjen në këto pika🤦🤦. Ama prej zyrës nuk munesh me i dit gjendjen reale në teren. Shëndet e lumturi🫶”.
Kundër , drejtorit të Shërbimeve Publike, Bekim Brestovcit kanë reguar edhe disa qytetarë, duke thënë se komuna s’po krijon qasje
“Bekim Brestovci nuk ka qasje me hi deri n pik per shkak t puninev ne rrug qe sa kohe nese kishum pas helikopter ish kan ndryshe”.
Komuna e Prishtinës që nga 3 shkurti e ka shpallur gjendjen emergjente të mbeturinave. Megjithëse, i pari i Prishtinës, Përparim Rama, e kishte keqkategorizuar si “gjendje të jashtëzakonshme”, e ku më vonë bënë ndërhyrjen (ndonëse jo edhe në paragraf të parë) duke e ndryshuar në “gjendje emergjente”.
Rama pos tjerash bënë të ditur se një ekip nga Drejtoria e Shërbimeve Publike e ka inspektuar terrenin dhe se ka konstatuar se ka “rrezik të madh për përhapje të epidemisë”.
“Vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme bazohet në rezultatet e arritura gjatë vitit 2024 pas marrjes së masave emergjente për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave. Një ndër hapat kryesorë ishte përfshirja e Operatorëve Ekonomikë në zonën qendër dhe furnizimi i lokacioneve me kontejnerë të rinj, çka ndikoi në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe krijimin e një mjedisi më të pastër për qytetarët”, tha ndër të tjera Rama.
Pas një dite, Brestovci kishte dalë në konferencë për media duke e akuzuar KRM “Pastrimin” për prishje të gjashtë kamionëve të rinj, të cilat i kishte dorëzuar komuna tek ta para dy javësh.
“Më datën 6 shkurt, kemi dhënë 6 kamionë, duke shpresuar që të njëjtën ditë, ata kamionë do të jenë në operim, dhe prapë nuk janë vënë në operim. Kemi informacione që këta kamionë, kompania “Pastrimi” i ka prishur dhe ka krijuar defekte. Kjo është papërgjegjësi në kryerjen e ofrim shërbimit”, ka thënë Brestovci.
Pas këtyre deklaratave, “Pastrimi” ka thënë se komuna po i mban peng dy kamionë dhe e ka akuzuar se po e ruan njërin për një nga gjashtë operatorët ekonomikë që pritet ta fitojnë tenderin 16 milionësh.
“Është e papranueshme dhe e turpshme që Komuna e Prishtinës po mban “peng”, dy kamionë për mbledhjen e mbeturinave, duke mos i vënë në funksion për qytetin. Dyshimet janë të bazuara: kjo po bëhet për t’i dorëzuar më vonë një kompanie private, e cila pritet të operojë me to. Ky është një keqpërdorim flagrant i pushtetit për interesa private, që tregon qartë prapavijën e vendimeve të Kryetarit Rama”, u tha pos tjerash në reagim.
Ndërkaq sa i përket akuzave për dëmtimin e kamionëve të rinj, nga kjo kompani thonë se testimi ka ndodhur publikisht dhe në prani të kamerave, ata nuk janë dhezur.
“Sa i përket akuzave tuaja për dëmtimin e gjashtë kamionëve, kjo nuk është e vërtetë. Në prani të kamerave të mediave të ndryshme, ne i kemi testuar dhe nuk janë ndezur dhe ju Komuna është dëshmitarë për këtë. Ne ju kemi shkruar email zyrtar që në fillim, duke ju informuar për problemet teknike të kamionëve, sepse duket se ato nuk janë testuar kur i keni blerë dhe kanë pasur probleme të tilla që nga fillimi disa probleme në sistemin elektronik të kompaktorit dhe se deri më tani, nuk keni ndërmarrë asnjë veprim kur dihet se kamionët janë pronë e Komunës dhe kushtet e kontraktimit dhe garancionit janë të lidhura nga ju. Në vend që të ndihmoni në zgjidhjen e këtij problemi, ju keni zgjedhur të gënjeni para mediave duke na akuzuar se ne i kemi dëmtuar kamionët. Kjo është e turpshme”./Demokracia.com/.