Kombet e Bashkuara kanë shprehur “shqetësim në rritje” në lidhje me vdekjet e raportuara në protestat anti-qeveritare në Iran.
“Ne dënojmë të gjitha incidentet që kanë rezultuar me vdekje ose lëndime serioze të protestuesve dhe përsërisim se forcat e sigurisë duhet të shmangin çdo përdorim të panevojshëm ose joproporcional të forcës kundër protestuesve paqësor”, tha zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric në Nju Jork, më 28 tetor.
Kombet e Bashkuara i kërkuan qeverisë iraniane në Teheran që të respektojë të drejtat e njeriut, duke vënë në dukje se kriza mund dhe duhet të vihet nën kontroll përmes dialogut.
Protestuesit në Iran u përballën me forcat e sigurisë të premten në qytetin juglindor të Zahedanit, ku pas disa javësh trazirash dhe demonstratash të nxitura nga vdekja e një gruaje të arrestuar nga policia morale e vendit, vazhdon të rritet bilanci i viktimave.
Qyteti i Zahedanit, ku protestat fillimisht nisën pas akuzave për përdhunimin e një vajze nga një oficer policie, është bërë rajoni më vdekjeprurës i trazirave pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini.
Protestat mbarëkombëtare janë shtrirë në të gjithë Iranin, në mbi 125 qytete. Të paktën 270 njerëz janë vrarë dhe rreth 14.000 protestues janë arrestuar, sipas grupit të aktivistëve të të drejtave të njeriut në Iran.
Aktivistët vlerësojnë se vetëm në Zahedan, rreth 100 njerëz janë vrarë që nga tubimi i 30 shtatorit, që shkaktoi një reagim të dhunshëm të policisë.
Demonstratat janë bërë kërcënimi më i madh për qeverinë teokratike të vendit që nga demonstratat e “Lëvizjes së Gjelbër” të vitit 2009. Gratë vazhdojnë të heqin hixhabet e tyre gjatë protestave në rrugë ndërsa presioni ndërkombëtar rritet mbi qeverinë e Iranit për dhunën e ushtruar ndaj demonstruesve.
Të enjten në mbrëmje u zhvilluan protesta edhe në qytete të tjera. Aktivistët paralajmëruan se të tjerë protestues ishin vrarë nga forcat e sigurisë. Megjithatë, qeveria e Iranit nuk ka dhënë një numër të përgjithshëm të vdekjeve nga protestat.
Mbledhja e informacionit për demonstratat mbetet e vështirë. Qasja në internet është ndërprerë për javë të tëra nga qeveria iraniane. Ndërkohë, autoritetet kanë arrestuar të paktën 46 gazetarë, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.
Zyrtarët iranianë, përfshirë udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei, kanë pretenduar në mënyrë të përsëritur se armiqtë e huaj të vendit qëndrojnë prapa demonstratave.