Oda e Farmacistëve të Kosovës ka paditur në Gjykatën Komerciale, Ministrinë e Shëndetësisë për vendimin për përcaktimin e çmimeve të barnave, me theks të veçante pikën gjashtë të këtij vendimi, që sipas Odës, rrezikon falimentimin e shumë farmacive në vend.
Kryetari i Odës së Farmacistëve, Kadri Bytyçi, në një intervistë për EO ka deklaruar se ky vendim është në kundërshtim me ligjin, si dhe dëmton rëndë farmacistët në gjithë territorin e Kosovës.
Sipas tij, ky vendim mund të krijojë humbje deri në 20 milion euro për farmacitë, për shkak të stokut ekzistuese të barnave, i cili mund të çojë në falimentim të bizneseve.
“Është e vërtet që e kemi atakuar në Gjykatën Komerciale pranë Departamenti për çështje Administrative vendimin e ministrit në lidhje me çmimet, kryesisht pikën gjashtë, ajo pikë e cila i prek farmacistët tanë që punojnë dhe veprojnë në tërë territorin e Republikës. E them këtë sepse me anë të këtij vendimi në mënyrë anti-ligjore ministri është munduar që të vendos një pikë, e cila i obligon farmacistët që të vendosin çmime në barna, a dihet që me udhëzimin administrativ për banderola çmimi vendoset në banderola. Por edhe në ligjin për përcaktimin e çmimeve, gjithashtu potencohet se çmimi vendoset në banderola. Kjo shto edhe faktin sepse stoqet të cilat ata i kanë mund t’u krijohet një humbje aq e madh sa që mund të rrezikojnë edhe falimentimin e bizneseve të tyre e që me një përllogaritje tonë nëpërmjet diskutimit me kolegët tanë ka dal se ky dëm mund të jetë rreth 20 milion euro në gjitha barnatoret e Republikës”, ka thënë ai.
Bytyçi ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për mungesën e komunikimit dhe për injorimin e shqetësimeve të komunitetit të farmacistëve.
Ai ka shtuar se pret që Gjykata Komerciale të merr vendimin për pezullimin e pikës gjashtë, duke kërkuar një zgjidhje që mbron interesat e farmacistëve dhe të sektorit farmaceutik në vend.
“Jo që kemi kërkuar por ka emaile të pafundme që janë dërguar në adresë e Ministrisë së Shëndetësisë e janë hasur në vesh të shurdhër, nuk kemi pasur takime. Kemi paraqitur shqetësimet tona të komunitetit tonë që si derë të vetme e kanë Odën e Farmacistëve, por prapë se prapë ministri nuk u është përgjigjur kërkesave tona. Ka disa emaile të dërguara në adresë të tyre. Në qoftë se vendimi i përket drejtësisë dhe është meritokratik besoj që gjykata duhet të vendos në lidhje me pikën gjashtë të vendimit që të marr masa të sigurisë apo pezullim të saj sepse po dëmtohen kryekëput farmacistët nëpër barnatore”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se MSH-ja nuk ka diskutuar fare me Odën para marrjes së këtij vendimi, duke shtuar se si Odë kanë insistuar vazhdimisht që kur të bëhet një ligj të bëhet, i aplikueshëm, i qëndrueshëm dhe i zbatueshëm për të gjithë.
“Absolutisht jo, përkundrazi ne kemi insistuar vazhdimisht që kur të ndërtohet diçka, kur të behet një ligj të bëhet, i aplikueshëm, i qëndrueshëm dhe i zbatueshëm për komunitetin”, ka thënë ai.
Konfirmimin e padisë e kanë konfirmuar edhe nga Gjykata Komerciale e Kosovës. “Gjykata Komerciale – përkatësisht Departamenti për Çështje Administrative, padinë në fjalë e ka pranuar më 21.01.2025”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për EO.
Prej sot në Kosovë do të hyjë në fuqi dhe do të nisë së zbatuari Lista e Çmimeve të Barnave në vend.
Ministria e Shëndetësisë, më 23.12.2024, kishte publikuar Listën e Çmimeve të Barnave me detyrim të zbatimit në tregun e Kosovës, nga data 01.02.2025.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se pret një “tronditje të lehtë” të tregut, por që tha se janë të vendosur në zbatimin e Ligjit.
Vitia përmendi se është një pjesë e kompanive, distributorëve dhe bartësve të Autorizim Marketingut të cilët nuk kanë paraqitur çmimet e barnave të tyre, për të cilët Ministri tha se do të ketë sanksione.
“E kuptoj që është sfidë dhe se në fillim do të ketë tronditje të lehtë të tregut, por ne jemi të vendosur që të zbatojmë këtë Ligj, muajt e parë pres tronditje të lehtë deri në stabilizimin e plotë”, tha ai në konferencë për media të premten, pas mbledhjes së Qeverisë.