Sot ndërroi jetë nëna e njërit prej themeluesve të UÇK-së, Kadri Veseli.
Para gjashtë muajsh, saktësisht më 7 korrik atij i kishte vdekur edhe babai, shkruan lajmi.net.
Tri ditë më pas, Veseli do të vinte në Kosovë për të qëndruar afër familjes së tij në ato momente të rënda që po përjetonte.
E ato ditë ai e kishte takuar për herë të fundit nënën e tij.
Por, siç bëhej e ditur në raportin e Speciales për vizitën e Veselit për të cilin kishte raportuar lajmi.net, Veseli as në ato momente nuk ishte lënë vetëm me nënën gjatë takimit, pasi që dikush nga zyrtarët e Speciales e kishte shoqëruar vazhdimisht.
“Pas mbërritjes së tij në Kosovë më 10 korrik 2021, Z. Veseli vizitoi vendin e varrit të babait të tij në shoqërinë e një oficeri shoqërues. Menjëherë pas kësaj, Z. Veseli u transportua për të vizituar nënën e tij. Veseli së pari vizitoi nënën e tij, dhe pastaj u takua me dy grupe të vogla vizitorësh të autorizuar, pas verifikimit të identitetit. Grupi i parë i vizitorëve përbëhej nga gjashtë anëtarë të familjes së ngushtë dhe një i afërm i shkallës së dytë. Grupi i dytë i vizitorëve përbëhej nga katër anëtarë të familjes së afërt. Z. Veseli nuk ishte lejuar të jetë vetëm me nënën e tij ose ndonjë nga anëtarët e mësipërm të familjes në çdo kohë, dhe asnjë person i paautorizuar nuk është lejuar të ketë kontakte me z. Veseli gjatë vizitës. Vizitat u kryen në sytë dhe brenda dëgjimit të zyrtarit kryesor të kujdestarisë dhe / ose oficerit (eve) shoqërues, me ndihmën e një përkthyesi të Gjykatës”, thuhej në raportin e Speciales.
Një ditë më vonë ai do të takonte edhe persona tjerë.
Veseli është në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.
Ai humbi të dy prindërit duke e pasur të pamundur të jetë pranë familjes së tij.
Veseli pritet që sot të bëj kërkesë për vizitë në Kosovë, teksa mbetet të shihet se kur do të aprovohet e njëjta.