Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka përsëritur thirrjen e saj për Qeverinë e Kosovës që të miratojë një aranzhim të njëanshëm preferencial tregtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke hequr tarifat doganore për produktet amerikane.
Oda Amerikane tha se mirëpret dhe mbështet fuqishëm deklaratën e presidentes Vjosa Osmani, e cila “i bëri jehonë thirrjes sonë duke kërkuar pezullimin e të gjitha tarifave për mallrat amerikane, transmeton Gazeta Papirus.
“Kjo thirrje thekson rëndësinë strategjike të thellimit të lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara”.
“Siç është thënë në deklaratën e djeshme të Odës Amerikane, një veprim i tillë do të ishte një hap i rëndësishëm, largpamës që tregon zotimin e Kosovës për tregti të lirë dhe të ndershme, duke e pozicionuar gjithashtu Kosovën drejt një marrëdhënie më të fortë tregtare dhe konsiderimin e mundshëm të një Marrëveshje për Tregti të Lirë në të ardhmen. Partneriteti disavjeçar me Shtetet e Bashkuara – si aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës – duhet të përkthehet në vendime të guximshme e në momente të duhura politike”, tha OEK në thirrjen e saj.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se beson se nismat që synojnë avancimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë, “veçanërisht ato të bazuara në argumente të shëndosha ekonomike dhe vlera të përbashkëta”, nuk duhet të bëhen objekt i polemikave të brendshme politike.
“Përkundrazi, ato kërkojnë unitet dhe veprim të shpejtë institucional, prandaj i bëjmë thirrje Qeverisë që të fokusohet në politikat që forcojnë partneritetin global dhe të ardhmen ekonomike të Kosovës”.
Një përplasje mes Presidencës dhe Qeverisë ndodhi dje për këtë çështje.
Për kërkesën publike të Osmanit ndaj Qeverisë reagoi ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili u shpreh i pakënaqur që ajo e vendosi në publik këtë komunikim dhe u ankua se kërkesa i shkoi Qeverisë jashtë orarit të punës dhe në vetëm pak minuta ajo u publikua në X.
Në këtë reagim, Murati tha se Qeveria ka qenë duke e shqyrtuar mundësinë për tregti të lirë me SHBA-në.
SHBA i vendosi tarifë 10% Kosovës në kuadër të tarifave që vendosi për shumicën e shteteve. Taksa 10% ishte minimalja e vendosur nga Administrata Trump.