Oda e Avokatëve të Kosovës ka reaguar ashpër ndaj një kërkese të bërë nga Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), përmes së cilës, sipas OAK, qindra avokatë janë të obliguar të dorëzojnë brenda një afati të shkurtër të dhëna të ndjeshme, përfshirë informacione konfidenciale për klientët e tyre dhe bashkëpunimet financiare me sektorët publik dhe privat për periudhën 2019–2024.
Në reagim kjo kërkesë është cilësuar si “shkelje e rëndë e parimeve kushtetuese të shtetit të së drejtës” dhe si një ndërhyrje sistematike në pavarësinë e profesionit të avokatit.
Oda ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën se si është formuluar kërkesa, duke theksuar se ajo nuk përmban asnjë informacion të qartë rreth natyrës së procedurës — nëse bëhet fjalë për një kontroll të rregullt tatimor, hetim penal apo inspektim tematik. Sipas tyre, mungesa e një vendimi zyrtar për hapje kontrolli, mungesa e objektit të qartë të hetimit dhe baza ligjore e pasaktë përbëjnë një precedent të rrezikshëm.
“Avokatët nuk janë mbi ligjin dhe nuk e kërkojnë këtë. Ajo që kërkojnë është siguri juridike, trajtim dinjitoz dhe respektim i rolit të tyre në sistemin e drejtësisë,” thekson OAK.
Sipas tyre, në listën e personave të përfshirë për dorëzim të të dhënave, figurojnë edhe avokatë që nuk janë më gjallë, çka sipas OAK-së nënvizon nivelin e ulët të përgatitjes dhe seriozitetit të kësaj kërkese nga ATK-ja.
Oda e Avokatëve ka paralajmëruar se do t’i drejtohet me urgjencë Drejtorit të ATK-së, Ministrit në detyrë të Financave, Kryeprokurorit të Shtetit dhe autoriteteve të tjera përkatëse për të kërkuar ndaljen e menjëhershme të kësaj praktike.
“Ky është një sulm ndaj integritetit të profesionit, ndaj besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe ndaj parimit themelor të konfidencialitetit avokat–klient,” vijon reagimi.
OAK u ka bërë thirrje të gjithë avokatëve të qëndrojnë të bashkuar dhe të vendosur në mbrojtje të dinjitetit profesional dhe parimeve të shtetit të së drejtës, duke theksuar se do të jenë zëri dhe mburoja e tyre përballë çdo përpjekjeje për intimidim institucional.