Gjatë ditës së sotme Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka arrestuar dy persona të cilët dyshohen për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim. Njëri nga të dyshuarit është me profesion avokat, raporton Gazeta Sinjali.
Lidhur me këtë ka reaguar Oda e Avokatëve të Kosovës, të cilët përmes një komunikate për media kanë bërë të ditur se i dyshuari nuk ka qenë asnjëherë në regjistrin e avokatëve të OAK-së.
“OAK, po sa është njoftuar lidhur me këtë lajm, ka komunikuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë nga ku ka kuptuar se personi me inicialet M.T. (emër i njohur për OAK-në), nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk është i regjistruar në regjistrin e avokatëve të Odës së Avokatëve të Kosovës. Për shkak të hetimeve fillestare të Prokurorit të Shtetit, OAK nuk mund të bëjë publike detaje të tjera, por meqenëse është apostrofuar profesioni i avokatit, nëpërmjet këtij reagimi kërkon nga Institucioni i Prokurorit të Shtetit, që të ruaj imazhin e avokatit dhe avokatisë në përgjithësi”, thuhet në reagim.
Ndryshe Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për identitetin e të dyshuarve, ku nga burimet brenda Prokurorisë ka mësuar se avokati i dyshuar është Momcilo Trajkoviç, ndërsa e dyshuara tjetër është Ivana Lekiç.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Trajkoviç dhe Lekiç dyshohet se në mars të vitit 2021, në Graçanicë, pas një marrëveshje paraprake dhe në bashkëkryerje, me qëllim të përfitimit pasuror në mënyrë të kundërligjshme, e kanë vënë në lajthim një të dëmtuar, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, ku të njëjtit i kanë siguruar për vajzën e tij një certifikatë të gjuhës gjermane kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”, e cila pas verifikimit nga Ambasada përkatëse ka rezultuar e falsifikuar.
Lekiç dyshohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka përpiluar dokumentin e falsifikuar, respektivisht një certifikatë të gjuhës gjermane, kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”, ku me këtë veprim dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, njoftoi tutje Prokuroria të martën.
Me urdhër të Prokurorit, dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do merren veprimet e mëtejme ligjore.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.