Pamjet e dhunës që u ushtrua ndaj të moshuarës në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë, nuk po dalin të jenë i vetmi moment që po dyshohet se 70 vjeçarja u përball me monstruozitetin e infermierëve të kësaj qendre, që shteti sot ia revokoi licencën. Raporti mjekësor për Minire Nurën tregon se e moshuara ka ende disa mavijosje tjera në pjesë të ndryshme të trupit dhe një djegie të shkallës së lartë në këmbë.
Shenja të dhunës në të dy duart, mavijosje në gjendje përmirësimi në shpinë e djegie të shkallës së lartë në këmbën e majtë. Krejt këto shenja monstruoze u evidentuan nga mjekët e Spitalit të Pejës, gjatë kontrollit të 70 vjeçarës Minire Nura e cila deri të mërkurën ka qëndruar në shtëpinë e pëlqeve “Orenda” në Pejë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
E moshuara, që u sulmua mizorisht nga një ish-infermiere, me përkrahje morale e çnjerëzore të tri ish-infermiereve tjera, përpos pasojave psikologjike, po del se ka përfunduar edhe me pasoja të rënda fizike gjatë qëndrimit të saj në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë.
Gjendjen e rëndë fizike dhe shenjat e dhunës që i konstatuan mjekët pas ekzaminimit të të moshuarës, dje në Spitalin e Pejës, i ka konfirmuar edhe avokati i familjes së Minire Nura nga Gjakova, Meshar Selimaj.
“Nga ekzaminimi që i është bërë dje nga Spitali i Pejës, vërehen lëndime në shpinë dhe duar, hematoma, ndërsa sot nga familjarët është vërejt një lëndim i djegies në këmbë tek e dëmtuara. Hematomat duken që janë të disa ditëve më parë”, ka thënë avokati Selimaj.
Një rastet ku dëshmohet ushtrimi i dhunës monstruoze ndaj të moshuarës nga Gjakova, nëna e një dëshmori të luftës, u publikua të mërkurën në rrjetet sociale.