Pasditen e 16 nëntorit skadoi afati për vendet e BE-së që me të ashtuquajturën procedurë të heshtur, t’i paraqesin vërejtjet e tyre në propozimin e Çekisë për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Duke u thirrur në burimet diplomatike në Bruksel, Radio Evropa e Lirë , raporton se “së paku dy shtete” e ndërpernë këtë procedurë dhe penguan që propozimi të marrë dritën e gjelbër.
Sipas burimeve, Spanja ishte ajo që paraqiti vërejtje, ndërsa disa shtete tjera kërkuan më shumë sqarime.
Propozimi i Çekisë, vend që aktualisht udhëheq Presidencën e BE-së, ishte që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhej me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS, siç kërkoi Franca, por njëherësh të caktohej edhe data e fuqizimit të vendimit: “jo më vonë se 1 dhjetori i vitit 2023”.
Burimet diplomatike, megjithatë, thonë se situata e krijuar nuk do të thotë se propozimi çek nuk do të kalojë as në të ardhmen.
Tani pritet që Presidenca çeke, në takime dypalëshe me vendet që paraqitën vërejtje, t’i sqarojë disa çështje teknike.
Sipas burimeve, po ashtu synohet që propozimi të kalojë në nivel më të lartë, atë të ambasadorëve, para fundit të këtij viti.