Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e kanë pasur një debat në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet për krizën e energjisë elektrike.
Muratin e Krasniqin i përplasi çështja e kontratave “forward” dhe “future” në tregun e energjisë elektrike. Kryetari i PDK-së tha se Murati nuk po e di dallimin mes të dyjave, ndërsa Murati tha se po fliste për kontratat dhe jo për tregjet, raporton Gazeta Express.
“Jam i dëshpëruar me faktin e mungesës bazike të njohurive të ministrit të Financave. ‘Forward markets’ edhe ‘future markets’ janë dy sene të ndryshme. Z. Murati, është përnjëmend e dhimbshme. Ti je ministër i Financave, qeto punë duhesh me i ditë”, tha Krasniqi.
“‘Forward’ është kur merren vesh jashtë bursës dy palë, ‘future’ është brenda bursës. Qysh është e mundshme ti me qenë ministër dhe mos me i ditë qeto. Është dallim esencial. Studentët e vitit të tretë në Ekonomi mos me i ditë këto, duhet me i rrëzu nga provimi. Ministrja e energjisë nuk di se çfarë flet për energji, ministri i Financave nuk di për senet bazike në financa, unë me të vërtetë nuk di çka me ju thënë ma shumë. Nuk ia vlen as me folë me ju”, shtoi kryetari i PDK-së.
Në replikë ministri Hekuran Murati përmedni “komplekset e mosdijes”.
“Komplekset e mosdijes s’mund t’i pasqyroni tek unë. Nëse thoni që ‘forward contract’ bëhet mes dy palëve jashtë tregut, s’mund të thuash ‘forward market’. Pra vetë e the, bëhet jashtë tregut, jashtë bursës bëhet”, tha Murati.
“Është koncept bazik. Z. Krasniqi, këto punë nuk mësohen duke shikuar video në YouTube”, shtoi ministri.