Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar sulmin e tij në Facebook ndaj prokurorit, Blerim Isufaj, dekretimi i të cilit si Kryeprokuror tash e sa muaj ka mbetur pezull nga ana e presidentes së vendit.
Në postimin e tij në Facebook, kreu i ekzekutivit sërish ka thënë se prokurori, Blerim Isufaj nuk e ka asnjë rast të fituar në Gjykatë.
Tutje ai thotë se Isufaj po dëshiron të bëhet Kryeprokuror përkundër Presidentes, Kryeparlamentarit dhe Kryeministrit.
“Bëhet fjalë për një Prokuror, i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike, që rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Asanajt e kategorizoi në vetëvrasje, ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të Informimit në Kryeministri, Hamdi Sopa, e shndërroi në vrasje. Dhe njëkohësisht, bëhet fjalë për një Prokuror, i cili asnjë rast nuk e ka të fituar në Gjykatë. Dhe pikërisht ky Prokuror dëshiron të bëhet Kryeprokuror përkundër vullnetit të Presidentes së Republikës, të Kryeparlamentarit të Kosovës dhe të Kryeministrit të Qeverisë. Është siklet i madh dhe është mbështetje e madhe për një njeri, i cili përkundër tre krerëve shtetërorë, përkundër përvojës së hidhur që ka i gjithë vendi me të, dëshiron të bëhet Kryeprokuror”, shkruan Kurti.
Në një postim të dytë, kryeministri i vendit i drejtohet deputetes së LDK-së, Hykmete Bajramit e cila tha se në një vend ku Qeveria e kapë drejtësinë, aty merr fund demokracia.
I pari i Qeverisë u shpreh në Facebook se deputetja Bajrami “tha që po të dëshironte Blerim Isufaj të bëhej Kryeprokuror me çdo kusht kishte ardhur me dosjen e Nagip Krasniqit tek unë si Kryeministër që të bëjmë pazar”.
Por, sipas Kurtit pazaret prokurori Blerim Isufaj i bënte me ta si parti, pasi siç tha ai tek ai vetë nuk mund t’i shkonte.
“Unë e falënderoj shumë deputeten Hykmete Bajrami që tregoi qysh ja kanë bërë këta dikur. Pra, ajo tha që po të dëshironte Blerim Isufaj të bëhej Kryeprokuror me çdo kusht kishte ardhur me dosjen e Nagip Krasniqit tek unë si Kryeministër që të bëjmë pazar – ama ai e din që unë s’bëj pazar ai ka ardhë te ju për ashtu. Ai tek ju ka ardhë ashtu prandaj ju e dini qysh bëhet kjo punë për t’u bërë dikush Kryeprokuror, tek unë s’ka ardhë se e ka ditë që s’ka çka vjen”, ka shkruar Kurti.