Hysen Hundozi i cili u bë u.d Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së veç pak muaj më parë, s’ka humbur shumë kohë. Ashtu siç kishte raportuar Nacionale se Fadil Hoxha e ka dost Rilind Gërvallën e Hysen Hundozin, prandaj edhe po krijohej kjo linjë njerëzish në udhëheqje të RTK-së, kjo tashmë po del krejt sheshazi. Rilind Gërvalla, Drejtor i Televizionit, Hysen Hundozi u. d Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit, e tash Fadil Hoxha këshilltar i tij. Pra, piktura e plotë.
Me anë të një e-maili u.d Drejtori Hysen Hundozi njofton se nga data 21.03.2025 do ta ketë Fadil Hoxhën, dostin e tij, këshilltar.
“Kam marrë vendim të punësuarin Fadil Hoxha, ta autorizojë që të kryejë detyra sipas kërkesës së U.d. Drejtorit të Përgjitshëm të RTK-së. Hoxha do të ofrojë mbështetje profesionale dhe këshillojë u.d Drejtorin në koordinim e kativiteteve të përtitshme të RTK-së, duke përfsirë RTK 1, 2, 3 dhe 4 dhe Mediet Online, si dhe të gjitha shërbimet dhe departamentet tjera në RTK” – thuhet ndër të tjera aty.

Çka kishte raportuar Nacionale për kapjen e RTK-së?
Me një mbledhje në errësirën e mbrëmjes, pa asnjë paralajmërim, pa transparencë, Bordi i RTK-së ndryshoi Statutin e Televizionit Publik. Krejt kjo për ta emëruar një ushtrues detyre të drejtorit, duke e arsyetuar me situatën e rëndë që ndodhet RTK-ja.
Në këtë pozitë u emërua Hysen Hundozi, një emër pak i njohur në skenën mediale në Kosovë. Megjithatë, Hundozi pavarësisht që nuk njihet fort, ka raporte të ngushta miqësore me kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Fadil Hoxhën.
‘Sindikalisti’ i zëshëm që i shante të gjithë në RTK gjatë qeverisjeve të kaluara, shante edhe ish-drejtorin Shkumbin Ahmetxhekaj. Megjithatë, asnjëherë në kohët e fundit, Fadil Hoxha nuk e çeli gojën për skandalet ku ishte i përfshirë Drejtori i Televizionit në RTK, Rilind Gërvalla. Nuk e çeli gojën as për skandalin me lajmin e rrejshëm të Slobodna Bosnës, ku dy media u akuzuan se paguhen nga Serbia.
Gazeta Nacionale kohëve të fundit ka pranuar informacione se Fadil Hoxha ka raporte tejet të afërta me ish-aktivistin e VV-së, drejtorin Rilind Gërvalla. Burimet i kanë thënë Nacionales se për të gjitha zhvillimet e fundit, ata kanë mbajtur kontakte të afërta. Megjithatë, këtë gazeta nuk ka arritur ta konfirmojë. Por, rezultati tashmë është ky; Hoxha këshilltar i Hundozit.
Nacionale për këtë temë ka dërguar pyetje në adresën e Sindikatës së RTK-së e cila udhëhiqet nga Fadil Hoxha, por siç kanë bërë muajt e fundit, ata zgjodhën heshtjen.
Këto raporte të mira mes Hoxhës e Gërvallës, duket se çuan në emërimin e Hysen Hundozit si U.D Drejtor në Radiotelevizionin e Kosovës. Kjo duke ndryshuar statutin, dhe me vetëm 6 vota për ai u përzgjodh si ushtrues i detyrës.
“Bordi si organ kolegjial dhe mbikëqyrës me qëllim të zhbllokimit të krizës si mundësi e vetme, ka vendosur për plotësimin e rregullores nr. 22/24 për rregullimin e procedurave të konkursit në RTK dhe Statutin nr. 1/22, duke rregulluar procesin e votimit të Ushtruesit të detyrës së Drejtorit të përgjithshëm me shumicë të thjeshtë votash. Me këtë rast, Bordi i RTK-së emëroi edhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm, z. Hysen Hudozi, i cili punon në RTK që nga viti 2002 dhe ka pasur pozita të ndryshme menaxhuese dhe profesionale”, thuhet në njoftimin e Bordit të RTK-së.
Siç i kanë thënë burimet Nacionales, emërimi i Hundozit ka ardhur me urdhër nga lartë. Kjo duke aluduar në partinë në pushtet.
“Emri i këtij personi ka ardhur direkt me urdhër nga lartë. Anëtarët e Bordit që i ka emëruar VV-ja veç e kanë zbatuar”, ka thënë ky burim në kushte anonimiteti.
Sipas Ligjit për RTK-në dhe Statutit të kaluara, para ndryshimeve, për votimin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së duhet të votojnë pro 2/3 nga 11 anëtarë. Që i bie, të paktën 7 vota për. Në këtë rast, miku i sindikalistit Hoxha, u zgjodh me 6 vota. Duke e ditur se po bëjnë shkelje ligjore, Bordi fillimisht ndryshoi Statutin.
Megjithatë, kjo nuk është një situatë krejt e panjohur në RTK. Kur Ngadhnjim Kastrati ishte zgjedhur drejtor me 6 vota, Fadil Hoxha me Sindikatën e tij nuk kishin lërë akuzë pa bërë, e veprim pa ndërmarrë. Ata theksonin se zgjedhja e Kastratit ishte bërë në kundërshtim me ligjin.
“Drejtori gjeneral është zgjedhur me 6 vota. Shkelja është e matshme dhe e argumentueshme. Ne kemi shku, kemi alarmu, ne paguhemi me mbrojtë ligjshmërinë e po bëjmë shkelje të ligjit. Nuk ka kanë lënë me monitoru dhe kur e kemi pa që brenda s’po mundemi me bo kurrgjë ju kemi drejtuar Kuvendit, kryetar i Komisionit për media ka qenë Nait Hasani dhe i kemi thanë: Ndaleni këtë gabim! mirëpo ai ka thënë që Kuvendi nuk e trajton” , deklaronte Fadil Hoxha në Kallxo.com
Për ndërhyrjet në RTK ka alarmuar edhe Raporti i Progresit. Në këtë të fundit, përmendej edhe skandali i RTK-së me lajmin e rrejshëm të Slobodna Bosnas.