Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), Arton Berisha, tha se kjo ndërmarrje gjatë tetë muajve të këtij viti ka rritje të të hyrave për 1 milion euro më shumë në krahasim me vitin e kaluar.
Berisha tha se në krahasim me vitin e kaluar, këtë vit ndërmarrja operon me 77 për qind më shumë rritje të të hyrave, sipas tij, në periudhën janar-gusht 2023 kjo ndërmarrje ka pasur 2 milionë e 400 mijë euro të hyra, pra një milion më shumë së në periudhën e njëjtë të viti të kaluar.
“Sa i përket investimeve ne bazohemi në planin e biznesit i cili është aprovuar vitin e kaluar. Aktualisht ne operojmë, në krahasim me vitin e kaluar operojmë me 77 për qind më shumë rritje të hyrave kjo krejt si pasoj e punëve të realizuara që jemi duke i bërë në teren. Aktualisht NPB po marrim një krahasim prej vitit të kaluar në periudhën e njëjtë janar-gusht, kanë qenë 1 milion e 300 mijë euro të hyra, ndërsa në këtë periudhë janar-gusht janë 2 milionë e 400 mijë, pra kemi të rritura të hyra prej 1 milion euro më shumë. Kjo është tejkalim i planit të biznesit, kjo vjen si pasoj e angazhimeve të shumta, shtimit të vëllimit të punëve dhe projektet që jemi duke realizuar”, tha ai.
Berisha tha se ndërmarrja ka një numër të madh të projekteve që është duke i implementuar në bashkëpunim me drejtoritë e komunës së Prishtinës, e sipas tij, një projekt tjetër që është duke u finalizuar është rinovimi i Sallës së Kuqe dhe pllatove të Pallati i Rinisë.
“Ne më shumë varemi nga projektet që kanë institucionet tjera, aktualisht ne jemi në bisedime me Pallatin e Rinisë, veç kemi nënshkruar një marrëveshje që të rinovojmë sallën e kuqe, besoj që do të vazhdojmë edhe me renovimin e pllatosë, edhe të pllatos që është përdhese por edhe pllatos që është përmbi sallën e kuqe. Që don një punë shumë të madhe, jemi në bashkëpunim të hartimit të projektit. Ende nuk dihet shuma e saktë se jemi në fazën e hartimit të projektit por është një shumë kogja e madhe, kjo duke pasur parasysh se pllatoja lartë që është duhet një investim i madh, duhet një izolim sepse përfundi janë lokale”, tha ai.
“Është një investim kogja i madh duke pasur parasysh që Pallati i rinisë është edhe në listën e institucioneve që janë të mbrojtura. Këtë vit është paraparë që vetëm të merren me hartim të projekteve, marrjen e lejeve nga institucionet kompetente, sigurimi i buxhetit në këtë rast duhet edhe mbështetja e komunës së Prishtinës, as Pallati as ne nuk mund me mjete vetanake ta përmbush këtë investim”, tha ai. /EO