Reperi i njohur Noizy shoqëroi kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në mitingun përmbyllës elektoral të Partisë Socialiste në Dibër.
I ngjitur në skenë krah kryeministrit, Noizy mbajti premtimin për të shkuar në vendlindjen e babait të tij me Lamborghini, një shenjë simbolike e premtimit të mbajtur nga Rama për përfundimin e rrugës së Arbrit dhe segmentit Maqellarë–Peshkopi.
Por, Noizy nuk u mjaftua me kaq. Nga podiumi kërkoi zyrtarisht edhe një investim tjetër për zonën:
“Babi im ka lind në fshatin Lubalesh. 2 kilometra rrugë pa shtruar janë, ma shtroni atë rrugë se kam gjyshin atje”, tha ai.
Kryeministri Rama e ka pranuar kërkesën me kushtin që Noizy ta prezantojë albumin e tij të ri pikërisht në Dibër:“Meqë nuk u prishëm për gjithë atë rrugën e Arbrit dhe tunelin e tmerrshëm të Murrizit, nuk do të prishemi për 2 km. Por kushti është ky: albumin do e prezantosh këtu, në këtë fushë, dhe do i sjellësh fansat nga Kosova e Maqedonia. Asaj rruge do i vëmë emrin ‘Rruga e Noizyt’” u shpreh Rama.