Vetëm pak ditë pas njohjes nga Kenia, një tjetër lajm pozitiv erdhi nga Afrika: Republika e Sudanit ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.
Por, ndërsa lajmi u shpërnda me entuziazëm nga Presidentja Vjosa Osmani, Qeveria e Kosovës po qëndron në heshtje.
“Sudani njeh Republikën e Kosovës!
Urime të gjithë qytetarëve të shtetit tonë!”,shkroi zonja Osmani.
Kanë kaluar mbi dy orë nga momenti kur Presidentja publikoi një video në Facebook, krah ministrit të Jashtëm të Sudanit, duke bërë të ditur njohjen — por nga ana e Qeverisë në tyrë të drejtuar nga Albin Kurti, nuk ka asnjë reagim, asnjë fjalë, asnjë postim.
Kujtojmë se ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, njohjen e parë pas gati pesë vitesh e solli dhe e pranoi Behxhet Pacolli, ish-President i Ksoovës, nga Kenia – por, Donika Gërvalla, e largoi nga çfarëdo roli e kontributi duke e personalizuar se këtë njohje e ka merito ajo vetë dhe Presidentja Vjosa Osmani.
Më 26 mars, ish-presidenti Behgjet Pacolli dha lajmin e madh për njohjen nga Kenia.
“17 vjet pas Pavarësisë, në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme, Republika e Kenias – një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran!” – kishte shkruar Pacolli.
Pavarësisht kësaj, përmes një reagimi mohues, Gërvalla tentoi të marrë ca merita të njohjes së parë pas një vakumi pesëvjeçar diplomatik.
“Mirëpresim vendimin e Republikës së Kenias për të njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës, një lajm i rëndësishëm që thekson përparimin dhe forcimin e pozitës sonë në skenën ndërkombëtare dhe në kontinentin afrikan. 🇽🇰🤝🇰🇪
Nga takimi i parë që kemi pasur në vitin 2021 bashkë me Presidenten Vjosa Osmani me ish-Presidentin Uhuru Kenyatta, kemi parë rrugën graduale drejt njohjes reciproke.
Mezi presim ndërtimin e marrëdhënieve të mirëfillta diplomatike me Republikën e Kenias dhe fillimin e bashkëpunimit mes dy shteteve tona në fusha të ndryshme.” – shkroi Gërvalla më 26 mars.
Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti është përballur në vazhdimësi me kritika gjatë këtyre katër viteve, për shkak të dështimit për të siguruar njohje të reja ndërkombëtare për Kosovën, transmeton Gazeta Papirus.