Kandidati për kryeministër të Serbisë, Gjuro Macut, më 14 prill i ka dorëzuar Kuvendit propozimin për përbërjen e Qeverisë së Serbisë, së bashku me biografitë e anëtarëve të propozuar.
Dhe siç raportojnë mediat e huaja, në listë është edhe Boris Bratina, si propozim për ministrin e ri të Informacionit dhe Telekomunikacionit.
Ai ka lindur në vitin 1960 në Beograd dhe në biografinë e tij zyrtare, ai tregon se shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në Beograd. Ai studioi (dhe u diplomua) për fizikë teknike në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Beograd.
Por sipas raportimeve, bëhet fjalë për njeriun i cili në takimin e mbajtur më 24 mars 2009 në Beograd, me rastin e 10 vjetorit të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë, i vuri flakën flamurit të Bashkimit Evropian.
“Ose jeni serbë dhe kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian ose jeni kundër Serbisë. Tani do t’ju tregojmë se çfarë nënkuptojmë me anëtarësimin në BE… Serbi, Rusi, ne nuk kemi nevojë për Bashkimin! Poshtë qeveria kukull serbe! Serbia dhe Rusia gjithmonë bashkë! Rrofshin serbët!”, kishte bërtitur Bratina.
Siç kujtojnë mediat, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 6 prill ia ka besuar mandatin për formimin e Qeverisë së re endokrinologut dhe profesorit të Fakultetit të Mjekësisë në Beograd, Gjuro Macut
Qeveria e Serbisë është në mandat teknik që nga 19 marsi, kur deputetët në Kuvend verifikuan dorëheqjen e Millosh Vuçeviqit nga posti i kryeministrit, çka shënoi fillimin e afatit 30-ditor për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Vuçeviq dha dorëheqje pas rrahjes së një grupi studentësh nga aktivistët e Partisë Progresive Serbe që po bllokonin punën e fakulteteve në Novi Sad.
Rënia e Qeverisë së Serbisë, e udhëhequr nga Millosh Vuçeviq, ndodhi në kulmin e protestave kundër pushtetit, të udhëhequra nga studentët që nga fundi i nëntorit 2024 po bllokojnë dhjetëra fakultete në gjithë Serbinë.
Në qendër të kërkesave të tyre, të adresuara ndaj institucioneve të Serbisë, është përcaktimi i përgjegjësisë ligjore dhe politike për vdekjen e 16 personave në shembjen e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor të vitit të kaluar.