Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit B. B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes pa autorizim të armës.
“Sipas kërkesës, më datën 28 prill 2023, në fshatin Kijevë të Malishevës, në oborrin e shtëpisë së të pandehurit, pas një mosmarrëveshje me xhaxhanë e tij tani të ndjerin S.B., e privon nga jeta duke e goditur me pistoletë disa herë, më pas e njofton policinë për vrasjen”. Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer dy vepra penale, ”Vrasja e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë.
Gjyqtari i procedurës paraprake Ilir Rashkaj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase, sipas tij, kemi të bëjmë me vepra penale të rëndë.
“I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 28 prill 2023 dhe do të zgjasë deri më 27 maj 2023”, thuhet tutje.